zoom

Aktualitet

Mister në Shëngjin, 22-vjeçari gjendet i plagosur rëndë në rrugë. Niset te Trauma, Policia thotë…

Një ngjarje e dyshuar kriminale dhe me rrethana ende të mistershme ka ndodhur në Lezhë gjatë natës, edhe pse paraprakisht Policia e njeh si aksidentale, por pa shpjeguar shkakun real.

Një i ri është gjetur i plagosur me hematoma kritike në pjesën e kokës dhe trup, pranë rrethrrotullimit të Shëngjinit. Kanë qenë kalimtarë të rastit që konstatuan trupin e shtrirë në rrugë dhe njoftuan policinë vendore.

Paraprakisht bëhet me dije nga grupi hetimor se i riu është rreth 22 vjeç, me inicialet G.B., dhe emri i tij nuk publikohet për momentin. Kurse sipas mjekëve, ka fraktura në kokë dhe është marrë nga autoambulanca për ndihmën e parë në spitalin e Lezhës.

Më tej u rekomandua për mjekim të specializuar pasi plagët në kokë ishin kritike dhe është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ende nuk dihen rrethanat e këtij rasti, ndërsa policia ka nisur verifikimet. Dyshimet janë se i riu, që mësohet se është nga Shkodra, mund të jetë dhunuar nga persona ende të paidentifikuar pas konfliktit të çastit dhe është lënë pa ndjenja pranë rrethrrotullimit. Policia sqaroi se po kryen hetime intensive dhe aktive, teksa priten detaje të tjera nga ngjarja.

Çfarë thotë Policia

“Rreth orës 06:05, salla operative e Policisë së Lezhës është njoftuar nga spitali rajonal i Lezhës, se në afërsi të rrethrrotullimit të Shëngjinit, është marrë me autoambulancë, i dëmtuar në kokë, shtetasi G. B., 22 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 22-vjeçari ka rënë aksidentalisht nga lartësia e një lokali në vendin ku është gjetur i dëmtuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Megjithatë dinamika mbetet e panjohur se si u rrëzua ai nga lartësia, nëse ka qenë i dehur apo e kanë shtyrë. Ky shtetas është transportuar në Spitalin e Traumës dhe është në gjëndje të rëndë shëndetësore. “Grupi hetimor po punon për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e kësaj ngjarjeje”, sqaron policia vendore. /ZOOM.AL/