zoom

Aktualitet

Mirlinda e AKSHIT, 1.8 miliardë për Gentian Likaj! Si u shpall fituese e tenderit kompania e tij

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj, ka zhvilluar një tender që ngriti dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së fituesit dhe transparencën në procesin e prokurimit.

Bëhet fjalë për tenderin “Përmirësimin e sistemit financiar dhe inventarizues për Policinë e Shtetit”, që ka synim modernizimin e administrimit të financave dhe logjistikës së policisë, ndërsa fondi limit ishte përcaktuar 160.390.000 lekë pa TVSH (rreth 1.9 miliardë lekë të vjetra me TVSH).

Kompania “COMMUNICATION PROGRESS”, në pronësi të Gentian Likaj dhe Enkeleidi Zoraqi, me një ofertë prej 148,900,000 lekë pa TVSH (rreth 1.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH) dhe u shpall fituese.

Shuma e ofertës së paraqitur nga kompania përbën 92.8% të fondit limit, një tregues që tenderi mund të jetë formuluar në mënyrë të tillë që të mos krijonte hapësirë për një konkurrencë të ndershme.

Një nga elementet më të dyshimta të këtij tenderi është fakti se në garë morën pjesë vetëm dy kompani. Megjithatë, për habi, fituese u shpall pikërisht kompania që kishte dhënë ofertën më të lartë, një situatë jo e zakonshme në një procedurë konkurruese, ku zakonisht shpallet fituese oferta më e ulët që plotëson kriteret teknike dhe ligjore.

Diferenca mes ofertave të dy kompanive ishte rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shifër që e bën edhe më të dyshimtë procesin e përzgjedhjes. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha nëse tenderi është zhvilluar me një fitues të paracaktuar dhe nëse ka pasur një garë të vërtetë mes konkurrentëve.

Ky rast është vetëm një ndër shumë tenderë të tjerë që kanë ngritur dyshime mbi mungesën e transparencës dhe manipulimin e garave publike. Praktika të tilla, ku konkurrenca është minimale dhe fituesit janë shpesh kompani të njohura për lidhje me pushtetin, janë bërë të zakonshme në prokurimet shtetërore në Shqipëri.

Postime të lidhura