zoom

Ekonomi

Ministria e Financave kërkon përsëri shtyrjen e vlefshmërisë së Bonove të Privatizimit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar shtyrjen e vlefshmërisë së Bonove të Privatizimit me dy vite të tjera dhe për të mundësuar përdorimin e tyre për legalizmin e objekteve informale në ASHK dhe për parablerje nga ish-pronarët e tokave mbi të cilat janë ndërtuar objekte të tjera.

Në draftin e dërguar në Kuvend nga MFE, thuhet se shtyrja kërkohet pasi në treg ka ende hapësirë për përdorimin e tyre, deri në mbyllje të vitit 2023.

“Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore ende vazhdon të mos jetë përfshirë një numër i konsiderueshëm objektesh kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj., si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve të njohur apo kthyer me vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, mendojmë se mund të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje me bono privatizimi (lekë privatizimi)”,-thuhet në relacionin shoqërues të draftit.

Bonot e shpërndara që në vitin 1995, sipas vendimit të asaj kohe duhet të dilnin nga tregu në vitin 2014, por ndryshimet ligjore në proceset  e legalizmit të ndërtesave në Shqipëri rifutën bonot në skemat qeveritar dhe rritën vlerën e tyre, pas zhvlerësimit prej 5%.

Nga statistikat  e Ministrisë së Financave, qytetarët kanë stok ende rreth 41 mld lekë në formën e Bonove të Privatizimit.

Me rikthimin e vlefshmërisë së tyre rreth 7 vite më parë, Bonot e Privatizimit janë bërë subjekt i tregut informal, ku shiten dhe blihen sa 10-20 e vlerës së caktuar në të.