zoom

Ekonomi

Ministri i ri i Financave “godet” Bankën e Shqipërisë: Të përforcojë rregulloret për mikrokreditë!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në konferencën e tij të parë për media tregoi se qeveria po pret një udhëzim tjetër nga Gjykata Kushtetuese, se si të menaxhojë ngërçin e krijuar me profesionistët e lirë, pas shfuqizimit të vendimit për tatim-fitimin.

“Është një çështje që e kam ndjekur dhe në krahun tjetër dhe një nga çështjet që jam marrë me të marrë detyrën. Gjykata Kushtetuese nuk shprehet çfarë do të ndodhë nga momenti kur ka hyrë ky ligj në fuqi dhe deri në momentin kur është shfuqizuar duke qenë se ka prodhuar detyrime financiare. Ne si ministri e Financave jemi duke përgatitur një kërkesë gjykatës Kushtetuese që do i kërkojmë çfarë do të bëhet me fondet që kemi mbledhur. Derisa të kemi bërë këtë nuk mund të marrim asnjë vendim” u shpreh ministri Malaj.

Ai tregoi se brenda shtatorit do të ketë një indeksim tjetër të pensioneve si dhe në fundvit, një paketë shtesë për pensionistët.

“Në fokus do të jetë edhe përmirësimi në mbledhjen e të ardhurave për të adresuar çështjen e pensioneve. Është çështje që na prek të gjithëve. Brenda muajit tetor do të kemi definuar diçka për pensionet dhe gjithë skemës së pensioneve”.

Lidhur me mosrealizimin e investimeve kapitale në kohë, ministri i Financave tha se është një shqetësim që ja ka shprehur dhe kabinetit qeveritar dhe theksoi se miradministrimi i buxhetit, është sfida e tij kryesore.

Ai theksoi se investimet kapitale pritet të shkojnë në 340 milionë euro më shumë nga parashikimi.

“Planifikojmë që për 2024 investimet kapitale nga ana e qeverisë të shkojnë 340 milionë euro më shumë nga sa parashikuam në fillim të këtij viti”.

Malaj u ndal dhe tek skandali i mikrokredive dhe tregoi se është në komunikim me Bankën e Shqipërisë për ndryshimet ligjore që duhet të bëjë Ministria e Financave, teksa theksoi se “edhe BSH duhet të përforcojë rregulloret e veta.”

Gjatë fjalës së tij, ministri dha dhe disa statistika të tjera makroekonomike. Sipas tij niveli i borxhit publik do të shkojë në 58.2% brenda vitit 2024.

“Kemi rritje të pagës reale në masën 10. 8 %. Kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13 % dhe ndiqet nga sektori privat me 9.7%. Rritja e pagës në sektorin publik ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro. Parashikojmë që nivelin e borxhit ta ulim në 0.57 përqind më pak krahasuar me vitin 2023. Në bazë të performancës pozitive që ka pasur ekonomia, kemi krijuar hapësira të reja fiskale, që do të thotë më shumë investime”.

Malaj theksoi se indikatori i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë rritur me 15.2%, krahasuar me 2023.

“Indikatori i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro me rritje prej mbi 8% në raport me stokun që kemi pasur në 2022. Për tremujorin e parë të 2024 kemi rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose me 15.2%, krahasuar me 2023”.