Monedha europiane shënoi sot një tjetër zhvlerësim në raport me lekun duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në vendin tonë.
Në pikat e këmbimit euro u ble me 110.7 lekë dhe u shit me 111.5 lekë.
Luhatje këto që kanë sjellë një sërë efektesh pozitive dhe negative.
Ekspertët vlerësojnë se më të fituar janë atë që merren me import të produkteve të huaja.
Ndërkohë që duket se pasojat negative janë më të shumta, pasi rënia e euros ka shkaktuar dëme të mëdha tek eksportuesit, por edhe tek ata që pagën e tyre e marrin në euro apo edhe ata që të ardhurat i kanë në euro dhe kredinë e kanë në lekë.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se arsyeja kryesore pas kësaj rënieje është kërkesa e dobët për euro në treg.
Sipas tyre, gjatë javëve të fundit blerjet e euros kanë qenë në nivele të ulëta.
Ndërkohë që nga ana tjetër, ata shprehen se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta, sidomos nga individët.
Kjo sipas tyre ka sjell një mbingopje të tregut me euro dhe për rrjedhojë edhe një rënie të vazhdueshme të saj në raport me lekun.
Po nga vijnë eurot në vendin tonë për të cilin flasin ekspertët?
Zakonisht tregu vendas ngopet me euro dy herë në vit, në gusht dhe në dhjetor kur emigrantët kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet dhe festat. Kjo zakonisht shënohet me një rënie disa ditore të monedhës europiane,
Por gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ardhje në masë të emigrantëve, ndaj dhe rënia që ka pësuar euro nuk mund të justifikohet me këtë faktor.
Një tjetër faktor që sjell euro në vendin tonë është dhe turizmi, por sezoni nuk ka nisur ende.
Eurot që kanë mbingopur tregun, thonë ekspertët, lidhen me fushatën elektorale.
Ish-ambasadori i OSBE Berndt Borchard deklaronte pak kohë më parë se një nga fushatat elektorale për zgjedhjet e përgjithshme ishin gati të përdoreshin miliona euro, pjesë e 2 miliardë eurove që qarkullonin në të zezë. Ekspertët i përforcojnë dyshimet se në këto zgjedhje janë hedhur shumë para kur thonë se rënia e euros do të vazhdojë deri në fund të tyre.
“Euro vijon të ketë një tendencë rënëse. Ndonjëherë thuhet për rastet e parashikimeve të këmbimeve valutore që është pyetje 1 milionë dollarëshe në rast se realisht do të arrish ta gjesh se çfarë do të ndodhë, por duke parë mënyrën se si ka ardhur deri tani unë them që euro do të vijojë rënien deri në fund të fushatës sepse kanë një lidhje dhe paratë e fushatës me raportin e këmbimit”, tha eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli në një intervistë për mediat.
Natyrisht që në këtë gjë nuk ndikon paraja publike, ajo që u dha KQZ partive, pasi ajo është në vlera shumë të vogla në raport me atë që në realitet hidhet në fushata zgjedhore apo investimet qeveritare, pasi pagesat e thesarit nuk janë në euro.
Ndonëse mazhoranca ka bërë të ditur se do të bëjë një fushatë pa shpenzime të mëdha dhe se paratë e dhëna nga KQZ do t’i përdorë për të mbjellë pemë, nisja e fushatës ka treguar të kundërtën.
Të gjitha rrugët nacionale dhe ato urbane janë mbushur me postera të kushtueshme të partive kryesore politike, ndërsa kryebashkiakët dhe kandidatët për kryetarë nuk kursejnë asgjë për të qënë sa më pranë votuesve të tyre.
Nga ana tjetër edhe opozita, ndonëse me një fond modest të dhënë nga KQZ, ka nisur prej kohësh një fushatë jo pak të kushtueshme.
Mjafton kjo për të kuptuar se paraja e hedhur në fushatë është shumë më shumë se ajo që ka shpërndarë KQZ.
Edhe në raportet e organizatave shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që kanë vëzhguar zgjedhjet në vendin tonë, është ngritur gjithmonë shqetësimi për futjen në vend të parave të pakontrolluara që përdoren në fushatë, duke bërë thirrje të vazhdueshme për transparencë.
Por duket se kësaj here sasia e parave që qarkullon jashtë sistemit dhe që po përdoret për zgjedhje është në përmasa akoma më të mëdha, sa ka vendosur euron në pozita vërtetë të vështira edhe në raport me lekun.
Mbivlerësimi i Lekut dhe shtrenjtimi i Euros dhe Dollarit duket fiktiv dhe pa logjikë ekonomike, pasi nëse euro do binte në kushte normale, vendi do të kishte njohur një rënie të ndjeshme të çmimit të produkteve që Shqipëria importon.
Në realitet po ndodh e kundërta. Euro e Dollari bien, çmimet sa vijnë e shtrenjtohen duke shtuar ndjeshëm paratë e bizneseve importuese, veçanërisht ato të naftës, ndërsa ky kurs këmbimi po dëmton rëndë edhe eksportet dhe po çorienton ekonominë. /Zoom.al