zoom

Aktualitet

Meta viziton sekretarin e plagosur të PD: Po derdhet gjak shqiptari për llogari të Rilindjes

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizioi në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, sekretarin e Partisë Demokratike të degës Kavajë, i cili u qëllua me armë brenda zyrës elektorale të PD në këtë qytet.

Pas takimit me 27-vjeçarin Bledar Okshtuni, Meta i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe policisë të hetojnë rastin dhe ka akuzuar Rilindjen.
Ai tha se ky është rasti i fundit që derdhet gjak shqiptari për llogari të partive politike.

“Nuk mund të mos vizitoja të plagosurin pabesisht dhe në mënyrën më provokuese Bledarin, në zyrën elektorale të PD në Kavajë, nga militantë të Rilindjes dhe drejtorë të bashkisë së Kavajës. Për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën dhe shpresojmë që për pak ditë ta kalojë këtë situatë. Kërkoj nga policia dhe prokuroria të veprojnë menjëherë dhe të vendosin përpara përgjegjësisë jo vetëm autorin, por edhe grupin e strukturuar. Kjo është organizuar nga shtabi elektoral i Rilindjes në Kavajë, nuk është e rastësishme.

Ajo që ka ndodhur sot në Kavajë është e dhunshme kriminale, të derdhet gjak shqiptari të për llogari të Rilindjes dhe me qëllim frikësimin e opozitës. Historia e zgjedhjeve të Shijakut dhe Dibrës kanë përfunduar një herë e përgjithmonë, ndaj duhet të reflektojmë të gjithë përpara se të jetë vonë, sepse Shqipëria më 25 prill do e thotë fjalën e saj. Është e rëndësishme që është një moment historik për vendin dhe prozhektorët e të gjithë botës tani do të vendosen këtu dhe ngjarje të tilla, kërcënime artificiale të dhunshme do të rrënonin përfundimisht imazhin e vendit tonë në planin ndërkombëtar, që edhe kështu siç është e dimë që është copë copë.
Prandaj të gjithë duhet të respektojnë Kodin Zgjedhor, duhet t’i bëjnë apel përkrahësve të tyre për të mos përfshihen në krime zgjedhore që janë të qarta dhe njëkohësisht jemi në një moment kur çdo përpjekje për të përshkallëzuar dhunën, mund të rezultojë në fatale për ata që e frymëzojnë ato. Rendi Kushtetutës duhet të vendoset më 25 prill. Regjimi i patronazhit, spiunimit ka cofur një herë e përgjithmonë. Garanci para ligjit garanton vetëm vota e barabartë.

Ata që kanë tmerr nga vota e barabartë ata kanë frikë nga drejtësia që ka kapur për fyti për shkak të zullumeve që kanë bërë në kurriz të qytetarëve. Drejtësia duhet të veprojë urgjentisht çdo mosveprim urgjent i tyre i ngarkon në përgjegjësi të rëndë, jo vetëm në këtë rast, por edhe rastet e tjera”, u shpreh Meta.