zoom

Politikë

Meta konteston rezultatin e zgjedhjeve: U ndanë miliona euro si bonuse

Njësoj si aleati i tij, Sali Berisha, edhe Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë kundërshton rezultatin që koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori në zgjedhjet e 14 majit.

Meta mblodhi Kryesinë e partisë për herë të parë pas humbjes, për të akuzuar mazhorancën se ka shpërndarë bonuse dhe ka përdorur të burgosurit për të manipuluar vulletin e qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, ai premtoi betejë politike në Këshillat Bashkiakë.

“Dhjetëra miliona euro u ndanë si bonuse. Kutia e fundit e Rrogozhinës bëri të përmbysej vullneti i qytetarëve nga ata të cilët ishin të marrë peng në burgje. Është detyra jonë të vazhdojmë kontestimin ligjor të çdo rezultati që ka shkelje. Do përgatitemi të rikthejmë zërin e opozitës në pushtetin vendor, një zë që nuk ekzistonte për 4 vite. Përfaqësues të opozitës dhe të PL-së tashmë janë këshilltarë në të gjitha bashkitë e vendit, të përgatitemi që llogaridhënia dhe transparenca të nisë që në ditën e parë. Të nisë transparenca në lidhje me buxhetin e shkuar të bashkive”, tha Ilir Meta.