zoom

Lajme

Merkato e Milanit/ Ibrahimoviç shpjegon lëvizjet dhe çfarë po ndodh me klubin

Zlatan Ibrahimoviç është kthyer në protagonistin kryesor të Milanit edhe pa qenë ai në fushën e lojës.

Suedezi ka qenë personi i cili ka dhënë sinjalizimet për merkaton e lojtarëve dhe lëvizjet e janarit kanë qenë të pazakonta, duke llogaritur se është larguar Alvaro Morata i afruar vetëm pak muaj më parë, ndërsa tani “basti” është Santiago Himenez.

Para derbit ndaj Interit, Ibra foli për mediat italiane, duke shpjeguar se çfarë kishte ndodhur në këto ditë kaotike në klubin kuqezi.

“Alvaro është një njeri dhe lojtar i madh, i uroj më të mirën sepse e meriton. Në disa situata, për arsye të ndryshme, nuk bën “klik”. Më shumë se kaq nuk flas, pasi në futboll ndodh. Kemi marrë Himenez, të cilin e ndiqnim prej shumë muajsh dhe në realitet e dëshironim edhe në verë, por ishte një situatë tjetër. Jemi gati për të, edhe ai është gati. Sot e takova, është i karikuar, ka dëshirë të madhe të fillojë, jemi të gjithë të karikuar”, tha Ibra.

I ngacmuar më pas rreth aftësive të sulmuesit meksikan, Ibrahimoviç nuk shmangu batutat e zakonshme.

“Himenez i fortë si Vieri? Jo, i fortë si Ibra, është nivel tjetër. Në korrik nuk ekzistonte mundësia, tani po dhe kemi bërë një investim të madh”, tha drejtuesi i kuqezinjve.