zoom

Sport

Mehmeti thumbon arbitrat për derbin: Na mohuan dy penallti, Europa varet nga ne

Disfata në derbi ka lënë pakënaqësi në kampin e kuq, veçanërisht për dy momentet e diskutueshme, të cilat sipas trajnerit Dritan Mehmeti ishin penallti flagrante për Partizanin.

Megjithatë Mehmeti kërkon nga futbollistët e tij të hedhin pas krahve gjithçka dhe të reagojnë në përballjen me Egnatian e vlefshme për javën e 34 të Abissent Superiore, për të mbajtur gjallë shpresën për një vend në kompetiocionet europaine.

INICIATIVA NË DERBI – “Skuadra në shumë situata për mënyrën sesi e interpretoi derbin më shumë i dha iniciativën kundërshtarit me gabimet tona përfituan ata dhe me kualitetet që kanë. Ishin më lart se ne për mënyrën sesi e administruan ndeshjen. Derbi është shumë i rëndësishëm, por skuadra duhet të shohë përpara sepse kemi një sfidë tjetër përpara dhe të arrijmë objektivin minimal”.

EGNATIA – “Egnatia na ka vendosur në vështirësi në barazimin 2-2 që kemi bërë në ndeshjen e fundit. Skuadra i ka mundësitë dhe kualitetet për ta interpretuar si duhet. Masat i kemi marrë dhe duhet që të futemi në ritmin e duhur, duhet të vlerësojmë në maksimum ndeshjen e nesërme”.

FOKUSI – “Gjatë gjithë kohës kam qenë i fokusuar që skuadra të jetë vetvetja. Në momentin që sheh se çfarë bëjnë rivalët, humbet përqendrimin dhe mendoj se ne e kemi në dorë vetë objektivin. Skuadra ka qenë në rritje, pavarësisht rasteve të veçanta ose gabimeve individuale që kanë penalizuar. Jemi në ritmin e duhur, duke parë se që nga muaji janar skuadra ka pasur shumë ndryshime”.

VENDIMET E ARBITRAVE – “Asnjëherë nuk jam marrë me arbitrat. Do të duhej të ishte më e drejtë që të ishim aty ku duhet sa i përket vendimeve arbitrare”.

OBJEKTIVI – “Me Kukësin kemi bërë atë që duhet dhe aty ka qenë kthesa apo ai moment që kemi qenë pranë objektivit. Duhet të jemi me këmbë në tokë sepse me këto rivalë të rëndësishëm kemi pasur vështirësi”.

DËMTIMET – “Albion Marku ka pasur shumë ngarkesë për shkak të ndeshjeve të shumta, mendoj se që nga janari deri tani është një sukses i gjithë stafit edhe e lojtarëve që janë treguar profesionist dhe kemi punuar mirë përket dëmtimeve.”

NDESHJA NDAJ EGNATIAS – “E kam studiuar kundërshtarin, edhe pse mund t’i duhet edhe një pikë për të arritur objektivin nuk do të qëndrojë prapa sepse janë me cilësi me shumë të mira.”

SKUKA – “Xhuliano është një djalë i ri me perspektivë. Do kohën e tij që të ketë kontraste të tilla sa i përket formës së tij dhe kur bëhet fjalë për një ndeshje me përgjegjësi aq të lartë sa gjysmëfinalja me Vllazninë, në aspektin psikologjik ka pasur shumë ngërç. E ka ndihmuar skuadra dhe stafi aty ku është. Duhet të tregohet me këmbë në tokë dhe profesionist për të ndihmuar ekipin dhe të ardhmen e ka përpara.”

ARBITRAT – “Është hera e parë që unë ankohem për arbitrat. Por kur kemi derbin dhe kemi dy penallti flagrante, kemi shumë të drejtë ta themi. Nëse është me dashje apo pa dashje unë nuk mund të futem te ndërgjegjja e arbitrave dhe nuk merrem fare me këtë pjesë”. /zoom.al/