Aplikacion
Trajneri Dritan Mehemeti, duke ditur vështirësit që e presin kundër Tiranës, deklaroi se qëllimi i vetëm mbetet fitorja.
DERBI – “Derbi është diçka e veçantë, është një histori tjetër. Pavarësisht objektivave që kanë të dyja klubet është një derbi dhe ne nuk mund ta menaxhojmë objektivin që ata kanë fitimin e titullit ndërsa ne arritjen e objektivit minimal që të mbërrijmë në Kupat e Europës. E rëndësishme është që të interpretojmë ashtu si duhet ndeshjen dhe shpresoj që të arrijmë të tregojmë atë që kemi bërë kohët e fundit sepse skuadra është paraqitur sesi stërvitet dhe ashtu siç lojtarët kanë karakterin”.
KUNDËRSHTARI – “Tirana ka kualitetet e saj, siç mund të ketë pikat e forta ka edhe pika të dobëta. Siç edhe ne kemi elementë shumë cilësorë që mund t’i godasim. Ne dua të marrim maksimumin, pavarësisht kundërshtarit. Derbi është derbi dhe detyrat taktike kalojnë përtej. Këtu kemi lojtarë kampionë, por kemi dhe lojtarë që nuk e kanë provuar derbin dhe është një miks i tillë në aspektin psikologjik, shpresojmë të fitojmë nesër”.
NGARKESA PSIKO-FIZIKE – “Kam një staf shumë të mirë, punojmë të gjithë dhe nuk është vetëm merita ime, por e gjithë stafit, e lojtarëve që jemi në këtë pikë. Me Dinamon kemi luajtur rreth 55 minuta me dhjetë lojtarë. Edhe me Kukësin kemi luajtur 100 minuta edhe ajo ka pasur ngarkesën psiko-fizike, kemi derbin dhe mendoj se skuadra do të japë gjithçka”.
DERBI NË ELBASAN – “Do të ishte më mirë që derbi të luhej në stadiumin “Selman Stërmasi”, na sjell edhe fat, pasi aty kemi dalë kampionë. Pavarësisht se ky stadium nuk është i yni, por i Bashkisë, por ne kemi fat edhe do të ishte më mirë aty. Autoritetet nuk morën përsipër organizimin e ndeshjes aty dhe u detyruam ta zhvillojmë ndeshjen në “Elbasan Arena”.
PARASHIKIMI I DERBIT – “Është e vështirë që të parashikosh një derbi nëse duhet të jesh cinikë apo të jetë një lojë e hapur. Tirana i ka shfrytëzuar shumë mirë elementët që ka sepse në situatat e ndryshme i shënon golat, por unë shoh te skuadra ime që vuajnë në 20 metrat e fundit, prodhojmë shumë dhe shpërdorojmë shumë raste për gol”.
MENAXHIMI I SKUADRËS – “Partizani po kalon këtë tranzicion, pasi ka ndryshuar grupin, ndërsa Tirana e ka ruajtur boshtin. Vitin e kaluar ata nuk ishin në Europë, ruajtën boshtin, trajnerin dhe po shpallen kampionë”.
TIFOZËT – “Ne i kemi shumë të rëndësishme dhe nuk bëjmë pa tifozët. Kanë bërë gjithçka, i bëj thirrje të jemi të gjithë bashkë, sepse këtu tregohet sesa e duam klubin”. /zoom.al/