zoom

Lajme

Media greke vijon akuzat: Rama mysafir i paftuar, erdhi të bënte fushatë me autobusë emigrantësh

Takimi i Edi Ramës me diasporën shqiptare në Athinë ka bërë jo pak jehonë në mediat greke. “Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Athinë, bëhet me qëllimin e vetëm të zgjedhjeve elektorale në Shqipëri”, shkruajnë mediat greke, të cilat ndoqën nga afër fjalimin mbi një orë të Ramës para bashkëkombasve.

Pothuajse të gjitha mediat greke kanë mbajtur gjithë kohës njërin sy te stadiumi i mbyllur “Galatsi” ku ishin mbledhur mijëra shqiptarë dhe Edi Rama përcillte mesazhet e forta drejtuar Athinës.

Mediat greke i mëshojnë faktit se Rama ka bërë fushatë në Athina dhe se ka marrë anëtarë të Partisë Socialiste nga Shqipëria me autobusë. Po ashtu hapësirë në mediat greke gjen deklarata e Fredi Belerit nga burgu, për të cilin vizita e Ramës është një provokim për grekët dhe shfaqje force brenda Greqisë, pasi sipas tij, data 12 Maj është data e arrestimit të Belerit nga autoritetet shqiptare.

E ashpër në raportimin e saj ka qenë e përditshmja greke Protothema.gr. Kjo e fundit që në titull e konsideron ‘mysafir të paftuar’ Ramën, ndërsa i quan hipokrite deklaratat e tij. “Shpirtrat shqiptare të Ramës në Athinë – Çfarë bëri ‘mysafiri i paftuar’ në Galatsi”, është titulli i Protothema.gr. “Një vit pas burgosjes së Fredi Belerit, kryeministri shqiptar organizoi një festë “parazgjedhore” në Galatsi. Deklarata hipokrite për miqësinë e dy popujve, akuzat për korrupsion dhe persekutimi i minoritetit grek”.

“Newsbomb.gr” shkon edhe më larg kur e akuzon kryeministrin shqiptar si falsifikues të historisë. Shkak janë bërë deklaratat e Ramës për heroinën greke të pavarësisë, Laskarina Boubulina, të cilën ai e identifikoi me prejardhje arvanite në shtëpinë e të cilës flitej shqip, por që luftoi për pavarësinë e shtetit helen.

“Pyes veten për qëllimin e vizitës së Edi Ramës në Greqi, me kryeministrin shqiptar duke dhënë një recital nacionalizmi pasi nuk ngurroi pa turp të përmendte se Laskarina Boubulina ishte… shqiptare! Rama, në një furi të pabesueshme, nuk hezitoi të falsifikojë historinë dhe ta shkruajë si të dojë… duke dëshmuar se është edhe antihistorik, edhe i rrezikshëm! Ai u shpreh në mënyrë karakteristike se “Bubulina u rrit në një familje që fliste shqip”! Dhe e gjithë kjo në Greqi!”, shkruan agjencia.

Ndërsa media tjetër “Zougla.gr” preferon ta mbajë titullin me përgjigjen e kryeministrit ndaj kritikëve, të cilët e konsiderojnë provokim takimin e tij me emigrantët.

“Rama: Nuk kam ardhur për të provokuar por për të takuar njerëzit e mi! Në këtë moment është duke u zhvilluar fjalimi i Edi Ramës në Galatsin e Mbyllur, në të cilin ai ka hyrë me duartrokitje dhe nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar. Kryeministri shqiptar i është përgjigjur nga foltorja Fredi Belerit, i cili tha se “ka ardhur në Greqi për të provokuar” , duke thënë në mënyrë karakteristike: “Unë nuk kam ardhur për të provokuar, kam ardhur të takoj njerëzit e mi”, thuhet në raportim mes të tjerash.

“Tanea.gr” raporton se shqiptarët mbushën stadiumin “Galatsi”, krijuan atmosferë festive me flamuj të Shqipërisë dhe pankarta në mbështetje të Edi Ramës.

“Stadiumi i Galatsit është mbushur plot me njerëz dhe organizatorët ngritën një ekran gjigant jashtë stadiumit në mënyrë që të pranishmit të mund të ndiqnin takimin e Edi Ramës. Turma njerëzish janë mbledhur paraditen e së dielës në stadiumin e Galatsit për të ndjekur fjalimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Shqiptarët që jetojnë në Athinë dhe zonat përreth, si dhe qytetarët e Shqipërisë që mbërritën me autobus erdhën me flamuj të vendit të tyre dhe disa prej tyre me këmisha me fytyrën e kryeministrit shqiptar dhe/ose pankarta”, shkruhet në artikull.

Kathimerini, një tjetër media e rëndësishme greke i referohet masave të sigurisë që blinduan Athinën me 1000 policë në terren për të garantuar sigurinë e Edi Ramës.

“Edi Rama: Nën masa drakoniane sigurie fjalimi i tij në Galatsi”. “Kryeministri shqiptar mbajti një fjalim para mijëra miqve të tij. Më shumë se 1000 policë ishin në këmbë. Kujtojmë se kjo ngjarje shkaktoi një turbullim të ri në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe është përmendur edhe nga kryeministri (Mitsotakis) në një intervistë të djeshme duke thënë: “Greqia është një vend demokratik. Nuk mund të pengonte një udhëheqës që të bënte një vizitë private dhe të fliste me bashkatdhetarët e tij. Çështja mori përmasa më të mëdha se ç’duhej të kishte, ndoshta, por nuk është koha e duhur pak para zgjedhjeve evropiane”, shkruan media në fjalë. /ZOOM.AL/