Aplikacion
Pas skenave trishtuese të fëmijërisë, pas pamjeve rrëqethëse të vitit 1999 në Bllacë, shpresoja se toka shqiptare kurrë më nuk do i ‘abortojë’ fëmijët e saj.
Dhe e dija se do jetë e vështirë, e dija se lumturia gjithë popullore është iluzion, por kurrë nuk e kisha menduar se do shihja pamjet trishtuese të të të rinjve që i braktisin “Shqipëritë” tona.
Shumë miq më pyesin pse ne individët publik, nuk dalim e t’i themi kësaj rinie të mos e braktisë atdheun!
Ja po ua them sepsen time: ngaqë më vjen turp t’u dal përpara atyre që heshturazi i braktisin trojet shqiptare. Më vjen turp sepse që të dalësh të kërkosh nga ata të kenë më shumë durim e të flijojnë për popull e atdhe, duhet ta kesh larë borxhin që ke ndaj tyre: paraprakisht t’u kesh treguar se cilët janë ata që ua vranë shpresën dhe atdhetarinë, se cilët janë ata që me dekada janë duke na bërë ‘evropianë’, por në ndërkohë, duke e shkatërruar dhe duke e plaçkitur popullin e tyre.
Andaj, mendojë se kjo rini që është duke e braktisur atdheun, paguan edhe çmimin e qyqarërisë së prindërve të tyre, të mosguximit tonë që me kohë t’u ngjiteshim autobusëve që çojnë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i mbushnim sheshet e atjeshëm dhe në mos më shumë, publikisht t’i lexonim emrat e atyre të cilët kurrë nuk e fshehën se jetonin në parajsën e ndërtuar mbi tokën e ferrit tonë, se janë të rrethuar me kopshte parajësiane të ujitur me lotët e varfanjakëve.
Dhe duke qenë të tillë, ne sot përballemi me pyetjen e fëmijëve tanë, e që u bë emblemë e turpit tonë: me çka dallon liria e tyre e sotme demokratike, nga robëria e jon e deridjeshme?! (Kim Mehmeti, e publikuar në janar, 2022)
SPAK kërkoi shpalljen fajtor të Bardhit për shpifje ndaj Edmond Sulës! GJKKO merr vendimin