Numri i emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në ishull është rritur ndjeshëm, dhe sipas vlerësimeve, nga fillimi i vitit numërohen mbi 6000.
Lexoni më poshtë shkrimin e plotë të Daily Mail
Më shumë se 700 shqiptarë arritën në Britani me varka të vogla vetëm në një ditë, si pjesë e një vale rekord të mbërritjeve nëpër kanalin “La Mansh”.
Shifrat zyrtare treguan se 1,295 emigrantë arritën në Britani të hënën, duke thyer nivelin e mëparshëm me më shumë se 100 emigrantë ditorë.
Rreth 60 për qind e emigrantëve – të paktën 700 – ishin nga Shqipëria, një aleate e NATO-s, e cila aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe nuk ka parë asnjë konflikt për më shumë se 25 vjet.
Javën e kaluar “DailyMail zbuloi se numri i shqiptarëve që mbërrijnë nëpër Kanal po rritet eksponencialisht.
Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kapën 27 varka në kanal dhe i sollën në brigjet britanike vetëm të hënën, treguan të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Numri më i lartë ditor i anijeve që kur ushtria mori komandën e operacioneve të kanalit në prill ishte vetëm 15. Ai e çon numrin total të emigrantëve që kanë kaluar nga Franca veriore që nga fillimi i vitit në 22,567.
Të dhënat nuk përfshijnë një numër të pakonfirmuar të emigrantëve që mbërritën dje, që mendohet të jetë 170. Rekordi i mëparshëm ditor prej 1,185 u vendos më 11 nëntor të vitit të kaluar.
Për të luftuar këtë çështje, kryesuesja e lidershipit konservator, Liz Truss ka thënë se do të prezantojë politikën e spostimit të azilit për në Ruandë sa më shpejt të jetë e mundur nëse ajo emërohet si kryeministrja e ardhshme.
Ajo këmbëngul se ushtria do të qëndrojë absolutisht e përfshirë në operacionet e Kanalit.
Miss Truss është angazhuar gjithashtu të ndjekë marrëveshje të stilit të Ruandës me vendet e tjera, duke zgjeruar operacionet e vijës së parë të Forcave Kufitare me një të pestën, duke emëruar një ministër specifik të kufijve dhe duke reformuar ligjet për të drejtat e njeriut për të ndaluar abuzimin e tyre në rastet e emigracionit.
Rivali i saj Rishi Sunak ka paraqitur një plan me dhjetë pika për të frenuar imigracionin e paligjshëm.
Zyrtarët kanë thënë për Mail se krerët e krimit shqiptar po dërgojnë në Britaninë e Madhe “persona të pastër” pa precedentë kriminalë me varka të vogla për t’u bashkuar me bandat e organizuara.
Deputeti konservator për Dover, mbrëmë tha se situata nuk mund të vazhdojë kështu.
Natalie Elphicke u shpreh: “Kalimet e Kanalit nuk mund të lejohen të vazhdojnë kështu.”
Alp Mehmet, kryetar i Migration Watch UK, i cili bën fushatë për kontrolle më të ashpra kufitare, bëri thirrje për veprim urgjent nga ministrat.
Mehmeti tha: “Kjo karakterizon paaftësinë dhe dështimin e tmerrshëm të një qeverie që ka pështjelluar dhe kapur për vite me radhë ndërsa problemi është përkeqësuar”.
Ky muaj tani duket se do të bëhet më i ngarkuari për kalimet e Kanalit që nga fillimi i krizës në vitin 2018.
Një zëdhënës i qeverisë tha: “Rritja e kalimeve të rrezikshme të Kanalit është e papranueshme. Jo vetëm që ato janë një abuzim i hapur i ligjeve tona të imigracionit, por rrezikojnë jetën e njerëzve vulnerabël, të cilët po shfrytëzohen nga bandat e pamëshirshme kriminale.”