zoom

Ekonomi

Mbi 545 mijë njerëz në rrezik varfërie në Shqipëri. INSTAT: Kufiri i varfërisë, 270 mijë lekë

Më shumë se 545 mijë individë janë në rrezik varfërie në Shqipëri raporton INSTAT, sipas shifrave të vitit 2023. Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.7%.

Treguesi është me rënie nga viti 2022, kur numëroheshin 578 mijë individë në rrezik. Po ashtu në 2023-shin është rritur edhe kufiri për rrezikun e varfërisë nga 225.931 lekë në 270.565 lekë.

42.1% e individëve janë të privuar thellësisht nga ana materiale dhe sociale.

“Shkalla e thelluar e privimit material dhe social sipas agjendës Europa 2030, paraqet përqindjen e popullsisë që nuk përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të privimit material dhe social. Për vitin 2023, ky tregues është vlerësuar 34.8 %, kundrejt 37% vlerësuar në vitin 2022”, raporton INSTAT.

Në vitin 2023, koeficienti Gini që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, është vlerësuar 30.2%, duke pësuar rënie me 0.8 pikë përqindje nga viti 2022.

Në vitin 2023, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë/të ekuivalentuara kanë pësuar një rritje me 18,1 %, krahasuar me vitin 2022.