zoom

Aktualitet

Mbetjet e Durrësit / Rrjeti i Basel kërkesë për test urgjent Ministrisë së Mjedisit

Tri ditë para rikthimit të kontejnerëve me mbetje të dyshimta në Shqipëri, rrjeti ndërkombëtar i Basel Action Netëork i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Mjedisit që të përgatitet për testimin e menjëhershëm të ngarkesës së tyre.

Mediat kanë bërë të ditur letrën dërguar Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ku BASELI ngre alarmin për 102 kontejnerët, ndërsa udhëzon për një proces transperent dhe të besueshëm që nga momenti i kthimit të tyre në Portin e Durrësit.

Në letër organizata propozon që kontejnerët të hapen publikisht, të merren mostra të materialeve nga tre prej tyre, dhe të dërgohen për analizë laboratorike, duke përfshirë një palë të tretë të pavarur ndërkombëtare që do të mbikëqyrë gjithë procesin. BAN paralajmëron se mungesa e një plani të qartë dhe të besueshëm për marrjen dhe analizimin e mostrave mund të nxisë spekulime dhe teori konspirative në publik, duke dëmtuar transparencën dhe besueshmërinë e qeverisë.

Organizata gjithashtu i kujton qeverisë shqiptare që, si nënshkruese e Konventës së Bazelit, Shqipëria është e detyruar të respektojë rregullat për transportin ndërkufitar të mbetjeve të rrezikshme dhe në rast se materialet e dyshuara rezultojnë të jenë mbetje të rrezikshme, atëherë transportimi i tyre pa miratim përbën një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Nëse kontejnerët përmbajnë materiale të rrezikshme, atëherë ato nuk mund të dërgoheshin në një vend tjetër pa miratimin me shkrim të vendit eksportues, Shqipërisë, vendeve tranzit si Italia, Malta, Maroku, Afrika e Jugut dhe Singapori, dhe vendit importues, Tajlanda. Nuk është dhënë asnjë miratim nga këto vende dhe nëse kontejnerët vërtetohen të përmbajnë mbetje të rrezikshme, atëherë transportimi i tyre do të konsiderohet “trafik i paligjshëm” sipas Nenin 9 të Konventës së Bazelit. Trafiku i paligjshëm është një shkelje penale.

Sipas Baselit, nëse dyshimet e tyre provohen, qeveria shqiptare mund të ketë vënë në rrezik mjedisin si dhe shëndetin e njerëzve, pasi është provuar se ngarkesat janë lejuar të ekspozohen ndaj erës dhe shiut në port. Aktualisht, një pjesë e kontejnerëve ndodhen në Spanjë dhe pritet të mbërrijnë në Durrës më 21 shtator, ndërsa pjesa tjetër është rrugës drejt portit egjiptian të Saidit dhe më pas drejt Turqisë, për t’u kthyer më vonë në Shqipëri.

Postime të lidhura