zoom

Politikë

Mbërrin në Presidencë shkresa për Metën, kërkohet dekretimi i mandatit të tretë

Ka mbërritur ditën e sotme në Presidencë shkresa e PS-së, e cila propozon Edi Ramën në rolin e Kryeministrit, vetem 2 ditë pasi ky i fundit pranoi se do të betohet para Ilir Metës.

Gjatë një interviste në ‘Opinion’, Rama deklaroi dy ditë më parë se për aq kohë sa Meta do të jetë në zyrën e Presidentit, qeveria e re do të betohet para tij.

Rikujtojmë se Partia Socialiste ngriti një Komision Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, menjëherë pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Së bashku me opozitën e re, Rama i bëri votat e mjaftueshme për të shkarkuar Metën nga detyra, i cili sipas tij ka kryes shkelje të rëndë të Kushtetutës para zgjedhjeve.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një President shkarkohet në Parlament. Gjithsesi fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse ky vendim i Parlamentit është i drejtë apo jo.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Meta i kanë pasur të shpeshta përplasjet në distancë me njëri-tjetrin gjatë këtyre viteve. Debati mes tyre kulmoi në vitin 2019, kur Presidenti vendosi të shtyjë datën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ndërsa Rama vendosi të shkonte në zgjedhje i vetëm pa opozitën, e cila kishte braktisur parlamentin dhe kishte bojkotuar zgjedhjet lokale.