zoom

Aktualitet

Mashtronin të huajt me bursën “Forex” në Call-Center, pranga 2 pronarëve, hetim 7 operatorëve

Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 2 administratorët e subjektit Call-Center dhe procedohen në gjendje të lirë 7 të tjerë, operatorë.

Burime zyrtare konfirmuan se u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Trading”.

U sekuestruan 2 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Trading”.

Si rezultat i këtij operacion u arrestuan në flagrancë shtetasit S. B., 33 vjeç, M. B., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas të tjerë”, thuhet në njoftim.

Mësohet se të dyshuarit S. B. dhe M. B., kishin në administrim një call-center në “Rrugën e Barrikadave”, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorë, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive “Forex”.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi. /A.Q./