zoom

Aktualitet

Mashtroi dhe zhvati 50 mln euro nga gjysma e Europës me bursën online, kapet në Dubai (EMRI e FOTO)

Një i shumëkërkuar i akuzuar për mashtrim me thirrje telefonike të qytetarëve, Call-Center kryesisht dhe dëm 50 mln euro në grup kriminal, është arrestuar i fshehur në Dubai për ekstradim.

Gjatë operacionit, Policia e Shtetit tha se nga Interpoli u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Merxhan Çeliku, 32 vjeç.

“Në vijim të punës së kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i akuzuar nga GJKKO-ja, për mashtrim të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, të operacionit policor të koduar “Platformat”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar 32-vjeçarit, masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Grupi ku dyshohet se merrte pjesë Çeliku, akuzohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike, ka mashtruar shtetas nga Shqipëria, RMV-ja, Gjeorgjia dhe Ukraina, për të investuar në tregje online. Nga mashtrimet, grupi i strukturuar kriminal ka përfituar shuma të mëdhaja parash.

Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri. /ZOOM.AL/