Aplikacion
Mbi 500 civilë të pafajshëm që ishin strehuar aty si një vend i sigurt humbën jetën kur spitali shpërtheu në flakë nga raketa. Mes viktimave, shumë ishin fëmijë dhe gra.
Të mbijetuarit janë të dëshpëruar, disa prej tyre në kërkim të ndihmës së shpejtë mjekësore. Dhe stafet mjekësore po ndihmojnë në kushte të pashembullta.
“Mjekët po kryejnë operacione në terren dhe në korridore, dhe disa prej tyre ishin pa anestezi. Shumë njerëz janë ende në pritje të operacioneve dhe ekipet mjekësore po përpiqen të shpëtojnë jetën e tyre në kujdesin intensiv”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë palestineze në Gaza, Dr Ashraf Al-Qudra.
Izraeli mohon autorësinë
Masakra në spital fillimisht u raportua se ndodhi pas raketës së hedhur nga ushtria izraelite. Por Izraeli ka mohuar akuzat, duke pretenduar se raketa ishte palestineze.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zie pas sulmit ajror vdekjeprurës në Spitalin Baptist Al-Ahli Arabi të Gazës, njoftuan mediat shtetërore.
Protesta në Libi
Për të kërkuar që këto sulme të paprecedenta të marrin fund dhe për të kujtuar se janë aty për Gazën, qindra qytetarë të Libisë protestuan pas masakrës së spitalit. Në qytetin Tripoli, qindra protestues të të gjitha moshave, me flamuj palestinezë në duar marshuan drejt qendrës së qytetit para se të mbidheshin në Sheshin e Dëshmorëve. “Ne japim gjakun dhe shpirtin tonë për Gazën”, kënduan ata në Tripoli dhe gjithashtu në Misurata.