zoom

Bota

Masakër në Ekuador, dhuna nuk njeh limite. Vriten 7 persona në sulm mafioz, dy prej tyre fëmijë

Shtatë persona u vranë në Ekuador gjatë një sulmi në rajonin e Guayaquil (në jugperëndim), epiqendra e dhunës disamujore që ka shpërthyer në vend, tha policia gjatë fundjavës.

Trupat e shtatë burrave, përfshirë dy të mitur, me plagë plumbash, u gjetën në Novol, provincën Guayas, rreth dyzet kilometra larg Guayaquil, tha policia në një njoftim për shtyp. Dy nga viktimat kishin precedentë penalë.

Masakra e motivuar nga hakmarrja, sipas njoftimeve të shtypit të cituara nga burime policore, ka ndodhur natën e së premtes në të shtunë. Agjencive të zbatimit të ligjit iu desh të kalonin orë të tëra duke u përpjekur për të gjetur të gjitha viktimat.

Masakrat janë gjithnjë e më të zakonshme në Ekuador, ku shkalla e vrasjeve është shumëzuar nga 6 për 100,000 banorë në 2018 në 43 për 100,000 në 2023. Midis Kolumbisë dhe Perusë dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, vendi është kthyer në qendër të trafikut të drogës për tregjet amerikane dhe evropiane.

Në fund të marsit, tetë persona u vranë në Guayaquil, përfshirë pesë turistë, të cilët u rrëmbyen dhe u ekzekutuan në një plazh, pasi sulmuesit mendonin se ishin rivalët e tyre. /ZOOM.AL/