Aplikacion
Një ditë më parë u ngritën pikëpyetje se ku e gjeti ai shumën prej 67 milionë dollarësh për të pasur në pronësi një bankë në Shqipëri dhe a mund të burojnë këto të ardhura vetëm nga puna si kamerier dhe punonjës i një banke të nivelit të dytë në SHBA?
Ndërsa sot do të zbulojmë manovrat që bën Andi Ballta, duke i shitur e blerë vetes biznesin për të fshehur lidhjet ruse.
“ABI Bank” sot është 100% në pronësi të kompanisë “Tranzit”, me bazë në offshore, ishujt Kajman.
Banka Amerikane e Investimeve kaloi në pronësi të kompanisë “Tranzit” më 12 tetor të 2015, vit kur 20% të “Tranzit” i zotëronte Andi Ballta.
Këto aksione ai i kishte blerë për 350 mijë dollarë.
Në qershor të vitit 2016, Andi Ballta shton aksionet nga 20 në 30% në kompaninë “Tranzit”, me vlerë rreth 500 mijë euro.
Në shkurt të vitit 2021, Andi Ballta zgjeron aksionet në komapaninë Tranzit nga 30 që kishte, në 80%, me vlerë 141 milionë lekë.
Në 3 shkurt 2021, Andi Ballta shet 50% të aksioneve të kompanisë “Tranzit” tek kompania “Moscopole”, që rezulton e regjistruar në shtetin Delawere, një nga parajsat fiskale më të njohura të botës.
Por kush fshihet pas “Moscopole”? Pronari i saj i vetëm është Andi Ballta, i cili më herët kishte shitur në këtë kompani edhe 30% të aksioneve që kishte në kompaninë “Tranzit”, me vlerë rreth 500 mijë euro.
Pra, skema është kjo: Aksionet e “Tranzit” që zotërohet nga Andi Ballta shiten te “Moscopole”, që po ashtu ka pronar Andi Balltën. Andi Ballta i shet Andi Balltës.
Në total, Ballta i shiti vetes së tij 80% të aksioneve në kompaninë Tranzit, me të cilën sot kontrollon “ABI Bank”.
Kush fshihet pas Andi Balltës?
Por duket se Andi Ballta përdoret si “mashë” nga pronari real me inicialet E. P..
Kompania e kredive “Tranzit” u themelua në mars të vitit 2009, me kapital 1 milionë USD, nga dy kompanitë “NCH Balkan Fund” dhe “New Century Holdings” nga ishujt Kajman, të përfaqësuar nga E. P. dhe G. K.. Pas tyre qëndron kompania offshore “NCH Capital”.
Andi Ballta dyshohet se është caktuar prej tyre më pas si administrator i “Tranzit”, duke e konkretizuar këtë në vitin 2015 kur Ballta bleu 20% të aksioneve.