zoom

Politikë

Mandati i tretë qeverisës, Rama mbledh sot grupin e vjetër dhe të ri parlamentar

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së do të mbledhë sot grupin e vjetër parlamentar dhe atë që u zgjodh pas zgjedhjeve të 25 prillit. Mbledhja do të nisë në orën 19:00.

Takimi ka në fokus të tij bilancin për qeverisjen e kaluar dhe objektivat për qeverinë e re.

Kujtojmë se javën që vjen kryeministri Edi Rama pritet të njoftojë krijimin e qeverisë së re, pas fitores në zgjedhjet e 25 prillit.

Në mbledhjen e fundit me ministrat e kabinetit aktual, Rama njoftoi tërheqjen nga mandati i deputetit të shefes së Infektivit, Najada Çomo, e cila hoqi dorë nga mandati i deputetit, pak më pas edhe zv/ kryeministri Erion Braçe lajmëroi largimin.

“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vijoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht, kemi skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar dhe një kryesi efektive të partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të situatës”, tha Rama në mbledhjen me ministrat.