zoom

Sport

Manchester City apo Arsenal? Çfarë do ndodhë të dielën dhe zgjidhja e gjetur për “dy trofetë”

Mançester Siti dhe Arsenali shkojnë në ditën e fundit të sezonit të Premier Ligës, të dyja në garë për të fituar titullin.

Nëse Mançester Siti fiton me Uest Hemin, ata do të mbrojnë avantazhin e tyre prej dy pikësh nga “topçinjtë” të dielën dhe shpallen për herë të katërt radhazi kampion. Skuadra e Artetës shpreson që ata të ndalen dhe të ketë mundësi të fitojë titullin e parë të Premier Ligës që prej vitit 2004. Me Sitin që pret Uest Hemin dhe Arsenalin Evertonin, Premier Liga duhet të bëjë gati dy skena për të festuar titullin.

Këtë të diel do të jetë hera e 10-të që kjo ndodh, por çfarë parashikon protokolli për trofeun? A do ta presë helikopteri i famshëm trofeun origjinal për ta transportuar atë drejt “Emirates” në rast se ai nuk ngrihet në “Etihad”? Njëri klub do të ngrejë origjinalin dhe tjetri një kopje? Përgjigja është jo. Një burim i Premier Ligës konfirmoi për “Daily Mail” se do të ketë dy trofe identikë që presin tashmë në çdo fushë, sipas një burimi pranë Premier Ligës.

Për më tepër, do të ketë një seri prej 40 medaljesh në çdo stadium. Çdo lojtar që ka bërë të paktën pesë paraqitje ka të drejtë të përfitojë një në fund. Çdo stadium do të ketë të ngritur podiume identike me fishekzjarrë për një festë të mundshme të titullit. Përpara se trofeu të ngrihet, një gdhendës do të zbresë që të skalisë emrin e ekipit fitues, përpara se ai të ngrihet zyrtarisht në qiell nga kapiteni.

Pas fitimit të trofeut, skuadra kampione mund ta mbajë atë për një vit, ndërsa Premier Liga do të kujdeset për trofeun tjetër, atë që nuk do të jepet në ditën e fundit. Por kur është momenti që ekipi kampion në fuqi dorëzon trofeun e vetë? Edhe kjo pyetje e ka një përgjigje. Ai tërhiqet nga Premier Liga tri javë përpara fundit të sezonit pasardhës, kur ata e kthejnë atë me shpresën që gjatë këtyre 21 ditëve të kenë mundësinë për ta mbrojtur dhe ngritur përsëri. Siti shpreson ta bëjë këtë të dielën për herë të katërt radhazi, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori. /ZOOM.AL/