zoom

Aktualitet

Maldivet e Ramës ngelin në klasë, Shqipëria e fundit për ujin e plazheve

Për bregdetin e Shqipërisë kryeministri Edi Rama shpesh mburret, duke i reklamuar si Maldivet e Shqipërisë.

Sipas Ramës, Shqipëria përshkruhet si “destinacioni i së ardhmes për pushimet në plazhet e bruzta dhe rërën e bardhë”.

Por, Agjencia Evropiane e Mjedisit rrëzon pretendimet e Ramës, për cilësinë e ujërave të bregdetit tonë.

Vetëm 30% e ujërave larës në vendin tonë, sipas raportit, janë me cilësi. Ndërsa pjesa tjetër janë pa investime në trajtimin e ujërave të zeza dhe largimin e ndotësve.

“Nga 22,081 ujërat e raportuara të banjës në Evropë në vitin 2023, rreth 85% ishin të cilësisë së shkëlqyer. Në katër vende – Qipro, Austri, Kroaci dhe Greqi – 95% ose më shumë e ujërave të banjës ishin të cilësisë së shkëlqyer. Në Austri, Belgjikë, Bullgari, Maltë, Luksemburg dhe Rumani të gjitha ujërat larës përmbushnin të paktën standardin minimal të cilësisë në vitin 2023.

Megjithatë, në pesë vende — Shqipëri, Belgjikë, Estoni, Hungari dhe Poloni — më pak se 70% e ujërave të banjës ishin me cilësi të shkëlqyer. Një nga kërkesat kryesore të BWD ishte që të sigurohej që të gjitha ujërat larës të ishin të cilësisë të paktën ‘të mjaftueshme’ deri në vitin 2015. Në sezonin e banjës 2023, kjo kërkesë u plotësua nga 96% e të gjithë ujërave të banjës së BE-së”, thuhet në raportin e Agjencisë Evropiane të Mjedisit.