Aplikacion
BMW dhe Audi, krahas modeleve elektrike që kanë hedhur në treg dhe që po punojnë, po investohen masivisht edhe te një burim tjetër energjie: hidrogjeni.
Basti i vënë prej tyre është nisur nga fakti që studime të shumta kanë konfirmuar se edhe makinat elektrike nuk janë aq miqësore me mjedisin sa reklamohen. Këto studime kanë llogaritur efektet e prodhimit të këtyre baterive në mjedis.
Për këtë arsye, gjermanët parashikojnë një riorientim i politikave drejt energjisë së siguruar me karburant hidrogjeni. Për momentin kjo teknologji është në fazë studimore dhe nuk është gati për nga çështjet e sigurisë. Megjithatë, parashikohet se me investimet e zbulimet e nevojshme, brenda tre dekadave kjo formë karburanti mund të shndërrohet në energjinë e së ardhmes.
BMW është më optimistja dhe përkrahësi më i madh i hidrogjenit në mesin e prodhuesve të makinave në Gjermani, duke përcaktuar rrugën drejt një modeli të tregut masiv rreth vitit 2030. Kompania gjithashtu po lobon për ndryshimin e politikave të hidrogjenit në Europë dhe në Kinë, tregu më i madh i makinave në botë.
Kompania ka ndërtuar një makinë prototip hidrogjeni bazuar në SUV-in e saj X5, në një projekt tashmë të financuar pjesërisht nga qeveria gjermane. Jürgen Guldner, nënkryetari i BMW, i cili drejton programin e makinave me qeliza karburanti hidrogjeni, tha për Reuters se prodhuesi i makinave do të ndërtojë një flotë testimi prej afro 100 makinash vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, edhe Audi e VW i thanë Reuters se kishin mbledhur një ekip prej më shumë se 100 mekanikë dhe inxhinierë, të cilët po hulumtonin qelizat e karburantit të hidrogjenit në emër të të gjithë grupit Volkswagen dhe kishin ndërtuar disa makina prototip.