zoom

Bota

Macron i mbijeton mocioneve të mosbesimit. Deputetët: Na prit në sheshe

Qeveria franceze i ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit pas vendimit për rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç.

Sipas BBC, mocioni i paraqitur nga deputetët e qendrës mori 278 vota pro, duke mos kapur 287 që duhej për rrëzimin e qeverisë. Nëse votimi do të ishte i suksesshëm, Macron do duhej të emëronte një qeveri të re ose ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Edhe mocioni i paraqitur nga partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen nuk mori votat e mjaftueshme.

Tashmë të dyja mocionet kanë dështuar, projektligji për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 do të bëhet ligj.

Votimet u hodhën pasi kryeministrja Elisabeth Borne përdori nenin 49:3 kushtetues për të shtyrë ligjin pa votim javën e kaluar.

Mocioni i parë, i cili pati mbështetjen e disa partive të majta, duke përfshirë Partinë e Gjelbër dhe Partinë Socialiste, ishte i vetmi që mund të kishte sukses.

Kur votimi dështoi, anëtarët e kontingjentit të majtë që votuan për mocionin mbanin pankarta ku shkruhej “vazhdoni” dhe “do të takohemi në rrugë” dhe bërtisnin që kryeministri të jepte dorëheqjen.

“Asgjë nuk është zgjidhur, ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë që kjo reformë të tërhiqet,” tha shefja e grupit parlamentar të LFI-së, Mathilde Panot.