zoom

In Zoom

Nga brekushet 1500 USD të Ramës te Balmain i Spiropalit! Luksi pa fre i qeverisë

Nga brekushet 1500 USD të Ramës te Balmain i Spiropalit! Luksi pa fre i qeverisë

Kryeministri Edi Rama është përfolur shpesh për veshjen e tij. Në shumicën e kohës për ekstravagancën, kryesisht me kravatat provokuese, pantallonat brekushe apo atletet e kombinuara me kostume në takime zyrtare.

Por jo pak herë ky ekzibicionizëm është mbuluar me hije dyshimi për shpenzime luksoze. Moda kushton dhe kjo s’ka si të jetë ndryshe për një kryeministër që tani i ka siguruar vetes edhe një avion luksoz.

Por Edi Rama ka ditur të justifikohet me shumë stil. Kur i vinin në dukje këmishat e shtrenjta thoshte se i qepte te Myslym Shyri. Kur i flisnin për kravatat, sajonte rrëfime në emisione televizive se i ideonte vetë.

Një organizatë joqeveritare arriti në konkluzionin se në njëqind e pesëdhjetë ditët e para të qeverisjes, Edi Rama kishte sfiluar me 50 kravata dhe 15 kostume të ndryshme, me kosto që shkonin në mbi 2 mijë dollarë për çdo veshje.

Për brekushet apo palltot japoneze “Yamamoto” i ka shpërfillur komentet. Ndoshta nuk ka gjetur ende ndonjë “rrobaqepës të Myslym Shyrit” që mund t’u dalë për zot.

Një gazetë nga Kosova vuri në dukje 6 vjet më parë se brekushet “Yamamoto” që Rama kishte veshur në një inspektim në Fier kushtonin 962 pound ose afro 1.5 mijë dollarë.

Rama u shfaq edhe pak ditë më parë me një pallto të së njëjtës markë që kushton 3173 dollarë, një shpenzim ky tepër i shtrenjtë për një kryeministër që merr afro 1 700 euro në muaj. Për një pallto të tillë atij i duhet të punojë 2 muaj e të mos shpenzojë asgjë tjetër qoftë edhe për të ngrënë.

Por Rama nuk është i vetmi në qeverinë e tij që shpenzon në veshtje të shtrenjta. Elisa Spiropali, ministrja e shtetit për marrëdhënien me parlamentin, u komentua për paraqitjen e saj mbrëmjen e të premtes në emisionin “Zonë e Lirë” në televizionin Klan.

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj shkruajti se ajo mbante një xhaketë të firmës “Balmain” që kushtonte 2 mijë dollarë. Spiropali nuk ka dhënë shpjegime deri tani.


Por xhaketa e saj nuk është më e shtrenjta në grupin parlamentar të PS. Zoom.al mëson se një deputet i një qyteti të varfër si Librazhdi mban xhaketa të markës “Brioni”, të cilat kushtojnë nga 6 mijë në 10 mijë euro. Ai nuk vjen nga biznesi dhe familja e tij nuk ka ndonjë aktivitet privat.

Me çfarë parash i blejnë qeveritarët dhe deputetët tanë këto veshje dhe çfarë rrezikojnë ata nëse Shqipëria do të ishte një demokraci funksionale dhe do të kishte një shtet ligjor?

Në vitin 2010, kryeministri kroat Ivo Sanader u arrestua nën akuzën për korrupsion. Hetimi i Prokurorisë së Posaçme kroate nisi pasi një gazetë shkruajti se ai mbante një orë që kushtonte 7 mijë euro dhe me të ardhurat që kishte nuk e justifikonte blerjen e saj. Hetimet zbuluan edhe pasuri të tjera dhe luksin në të cilin jetonte kryeministri.

Në Shqipëri janë jo të paktë qeveritarët, deputetët e zyrtarët që mbajnë veshje, ora apo makina të shtrenjta, ndonëse nuk i justifikojnë ato me pagat që marrin. Ashtu si pronat, edhe makinat i kanë në emër familjarësh apo miqsh. Ndërsa për veshjet e orat thonë shpesh se i kanë false, derisa askush nuk guxon t’i kontrollojë. /Zoom.al