zoom

Bota

Lufta e re e pashmangshme, Hezbollah bombardon me 200 raketa Izraelin. Hakmarrje për komandantin

Grupi libanez Hezbollah thotë se i ka hedhur mbi 200 raketa në drejtim të disa bazave ushtarake në Izrael, si përgjigje për një sulm ajror izraelit që la të vdekur njërin prej komandantëve të lartë të grupit.

Sulmi nga grupi militant i mbështetur nga Irani të enjten ishte ndër më të mëdhenjtë në konfliktin disamujor përgjatë kufirit mes Libanit dhe Izraelit. Ushtria izraelite tha se “predha të shumta dhe objektiva të dyshimta ajrore” u futën në territorin e tij nga Libani, shumica prej të cilave u parandaluan. Nuk u raportua për viktima.

Rreth 160 “predha” u shkrepën në drejtim të Lartësive të uzurpuara të Golanit dhe rreth 15 dronë u hodhën brenda territorit izraelit, disa prej të cilëve u parandaluan, tha ushtria izraelite. Të mërkurën, Izraeli e pranoi se vrau një ditë më parë Mohammad Naamhe Nasserin, i cili ishte udhëheqës i njërit prej tri divizioneve rajonale të Hezbollahut në jug të Libanit.

Pak orë pas vrasjes së tij, Hezbollahu hodhi raketa të shumta të llojeve, Katyusha dhe Falaq, në veri të Izraelit, si dhe në Lartësitë e uzurpuara të Golanit. Të enjten, ky grup shkrepi edhe më shumë raketa dhe tha se lëshoi edhe dronë kamikazë në drejtim të disa bazave. Nasseri ishte shumë i rëndësishëm për Hezbollahun, pasi mori pjesë në beteja të kaluara në konfliktet në Siri dhe Irak nga viti 2011 deri në vitin 2016, si dhe luftoi në luftën e fundit të grupit kundër Izraelit më 2006.

Hezbollahu nisi sulme raketore në veri të Izraelit një ditë pasi Hamasi e kreu një sulm befasues në jug të Izraelit më 7 tetor, duke nxitur luftime të kufizuare përgjatë kufirit të tensionuar. Por, prej atëherë, sulmet janë përshkallëzuar dalëngadalë, me Hezbollahun që vuri në përdorin armë të reja për të kryer sulme dhe me Izraelin që goditi më thellë Libanit. Hezbollahu ngul këmbë se nuk do t’i ndalë sulmet derisa të arrihet marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës.

Zyrtarët izraelitë kanë kërcënuar se do të kryejnë operacion më të madh ushtarak, nëse Hezbollahu nuk i ndal sulmet. Mbi 450 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban prej tetorit, shumica e të cilëve luftëtarë të Hezbollahut, por aty përfshihen edhe më shumë se 80 civilë dhe joluftëtarë.

Nga pala izraelite, 16 ushtarë dhe 11 civilë janë vrarë prej se nisi lufta në Gazë. Dhjetëra mijëra njerëz nga të dyja anët e kufirit të tensionuar janë shpërngulur si pasojë e luftimeve. Më 2006, Izraeli dhe Hezbollahu bënë një luftë disamujore, e cila mbaroi me barazim. /REL/