zoom

In Zoom

Lokalet e natës nëpër plazhe ju lënë pa gjumë? Vetëm SPAK mund t’i japë fund marrëzisë

“Do ta çoj në SPAK!”. “Vetëm SPAK i jep zgjidhje…”. “Çoje në SPAK…!”

Që prej krijimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka ngjallur shpresën tek qytetarët shqiptarë se drejtësia mund të vihet në vend. Me qindra dosje e ankesa mbërrijnë çdo ditë në zyrën e ndërtesës që ka nisur të ngjallë frikë tek abuzuesit me ligjin, kryesisht zyrtarët e lartë, të cilët, duhet thënë se shtetin e shohin jo në pak raste si një çiflig ku mund të marrin ç’të munden.

Arrestimi i ish -ministrit Ilir Beqaj, të disa drejtorëve të bashkisë së Tiranës në çështjen 5D, të disa drejtuesve të policisë apo të tjerëve zyrtarëve të lartë, i ka bërë abuzuesit me detyrën që ta vënë këmbën në frena.

Por ka ende prej atyre që ligjin e shohin si ekskluzivitet të tyre për të zhvatur. Zoom.al ka sjellë këto ditë në vëmendje një shqetësim që kanë turistët e huaj dhe pushuesit shqiptarë sa herë kalojnë pushimet në bregdetin tonë, siç është prishja e qetësisë publike nga disa lokale të njohura në plazhet e jugut, duke mbajtur muzikën me volum të lartë jashtë çdo kriteri dhe çdo rregulli.

Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë tonë, këto lokale kanë “bekimin” e pushtetarëve qëndrorë e lokalë dhe të policisë së shtetit. Ka dyshime se drejtues të policisë marrin rryshfet për t’i lënë këto klube të zhurmojnë. Ka dyshime të tjera që disa nga këto lokale kanë marrë leje nga institucionet ndonëse nuk i plotësojnë kriteret. Pra ligji është shkelur në të dyja rastet.

Pushues e banorë të zonave ku këto klube zhurmojnë thonë se i drejtohen policisë vazhdimisht, por nuk gjejnë zgjidhje. Kanë bërë ankesa edhe në bashkinë e Himarës dhe institucione të tjera, por “askush nuk lëviz as gishtin e vogël”, siç shprehen disa prej tyre. Edhe lokalet në bregdet që po dëmtohen nga ky favorizim që u bëhet vetëm dissave prej tyre janë ankuar tek autoritetet, por ka qenë e kotë.

Zgjidhja duket vetëm SPAK. Zoom.al po e ndjek këtë çështje pranë bashkisë së Himarës, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit, në përpjekje për të kuptuar se kush ka abuzuar me ligjin.

Por kjo nuk është më vetëm një çështje mediatike. Përgjegjësitë në këtë rast janë ligjore, pasi ka dyshime se janë shkelur ligje e rregulla. Dhe abuzuesit, siç duket, janë zyrtarë të lartë, për hetimin e të cilëve tagrin e ka SPAK.

E nëse duan vërtet t’i japin fund kësaj marrëzie tipike shqiptare, turistët, pushuesit dhe banorët e Himarës dhe plazheve të tjera të jugut, ku pushimet po u bëhen ferr nga 2 -3 lokale të privilegjuara, do të duhet që t’i bien derës së SPAK dhe jo të zyrtarëve që me gjasë qëndrojnë prapa skenës që po shkatërron ditëe e tyre të pushimit edhe këtë verë. /Zoom.al