Aplikacion
Kohët e fundit, kryeministri po e përmend gjithnjë e më shpesh Bashën, qoftë në video të shpërndara në rrjetet sociale apo gjatë takimeve elektorale që po zhvillon nëpër Shqipëri. Kjo nuk është e rastësishme. Përkundrazi, është një lëvizje e llogaritur politikisht për të çorientuar dhe përçarë opozitën edhe më tej.
Lulzim Basha është një figurë politike që ka humbur çdo relevancë në arenën publike. Nuk ka aktivitete politike, nuk është prezent në media dhe është i shkëputur totalisht nga dinamika aktive e opozitës. Megjithatë, Rama po përpiqet ta faktorizojë sërish, duke e sjellë në vëmendje si një alternativë për opozitën. Qëllimi? Përçarja e mëtejshme e të djathtës dhe zbehja e ndikimit të Sali Berishës.
Duke e nxjerrë Bashën nga hiri politik, Rama synon të krijojë një iluzion për ndarjen e opozitës mes një “opozite të moderuar” të drejtuar nga Basha dhe opozitës radikale të Berishës. Në këtë mënyrë, ai tenton të delegjitimojë Berishën dhe të orientojë votuesit e lëkundur të djathtë drejt një figure më të dobët dhe më të kontrollueshme si Basha.
Për më tepër, duke e vënë Bashën në qendër të vëmendjes me një qesëndi të pashembullt, Rama shpërqendron debatin publik nga dështimet e qeverisjes së tij dhe zhvendos vëmendjen tek një rikthim farsë i një politikani që tashmë ka humbur mbështetjen popullore.
Është lehtësisht e kuptueshme se nuk është një ftesë për debat apo garë të ndershme, apo për t’u treguar shqiptarëve se Rama ka kundërshtar real Lulzim Bashën. Ai, më shumë se çdo politikan tjetër është i vetëdijshëm se Lulzim Basha me shumë gjasë as nuk do të jetë deputet në parlamentin e pas 11 janarit. Kjo e Ramës s’është gjë tjetër veçe strategji manipulative për të dobësuar opozitën dhe për të siguruar që pushteti i Ramës të mbetet i paprekur. Ndërsa për Bashën, përmendja nga Edi Rama ka mbetur e vetmja mënyrë që ai të ndihet i rëndësishëm në skenën politike shqiptare, tani jo më si demokrat i thjeshtë, por si demokrat euro-atlantik./ Zoom.al