Aplikacion
Urdhri i ri presidencial ka përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
O’Brien do të ketë gradën e ambasadorit ndërsa para se të marrë postin e ri duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. O’Brien është i njohur me situatën në Ballkanin Perëndimor, sepse ka punuar më parë në këtë rajon.
Nga viti 1989 deri në vitin 2001 O’Brien shërbeu si Këshilltar i Lartë i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguar presidencial për Ballkanin Perëndimor. Me marrjen e detyrës zyrtarisht ai duhet të zbatojë regjimin e sanksioneve, pra “listën e zezë” amerikane. Urdhri i Biden është vazhdim i një urdhri të vitit 2001 të ish-administratës Bush, ku parashikohen sanksione për individët me pushtet nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Me vendimarrjen e administratës së re amerikane ky urdhër është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Sipas Shtëpisë së Bardhë korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. Departamenti i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan shumë zyrtarëve në rajon, emra të cilët janë bërë ose jo publikë.
Shtëpia e Bardhë në konsultim me Departamentin e Shtetit me emërimin e zotit O’Brien do të vazhdojë ta përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri. Procesi i krijimit të “listave të zeza” të SHBA me të shpallur non grata ka rezultuar proces shumë i ngadalshëm. Për momentin duhet deri në 10 vjet para se një person të gjendet në këtë listë të zezë.
Duke emëruar zotin O’Brien si koordinator, administrata e Biden, sipas mediave amerikane padyshim, dëshiron që puna të shkojë shumë më shpejt, të jetë me cilësi më të mirë dhe më efikase.
Trump emëron këshilltarin e vjetër Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë