Aplikacion
Sipas raportit të ISP, Kuvendi nuk e ushtroi në tërësi funksionin mbikëqyrës ndaj qeverisë dhe gjatë sesionit nuk pati seanca të dedikuara pyetjesh dhe as mocione besimi/mosbesimi, si dhe disa nisma për interpelanca me kryeministrin ose u refuzuan nga mazhoranca, ose u realizuan pjesërisht pa pjesëmarrjen e kryeministrit, por delegimin tek një ministër.
Ndërkohë, sesioni i fundit parlamentar shënoi “mungesën aktive” të liderëve politikë në debatin parlamentar, “rasti i parë i tillë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit”, thuhet në raportin e ISP.
Kryetari i PS, Edi Rama mori pjesë vetëm në një debat, mbajti vetëm një fjalim dhe i delegoi kërkesat për interpelancë tek ish-ministrja për marrëdhëniet me parlamentin. Kryetari i PD, Sali Berisha vijon të jetë në kufizim me masë sigurie gjatë gjithë sesionit parlamentar, duke pamundësuar pjesëmarrjen parlamentare. Kryetari i PL, Ilir Meta nuk është deputet dhe Lulzim Basha mori pjesë vetëm në dy debate parlamentare.
Ndërkohë, deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%.
Përsëri vihet re se numri i deputetëve që nuk flasin vijon të jetë i lartë.
Nga të dhënat monitoruese janë gjashtë deputetë që nuk kanë arritur të lënë “gjurmë parlamentare” në sesionin e fundit parlamentar, duke mos pasur asnjë angazhim personal në komisionet e Kuvendit dhe as në seancat plenare.
“Në listë kryesojnë pothuajse të njëjtët deputetë si edhe në sesionet e kaluara parlamentare, kryesisht deputetë – biznesmenë që sigurojnë mandate personale në zona të ndryshme, që vijojnë të injorojnë detyrimet dhe përgjegjësitë parlamentare. Ngritja e kartonit pa ngritur zërin në mbrojtje të interesave të qytetarëve që kanë zgjedhur të përfaqësojnë, nuk duket të ketë cenuar përfitimin financiar të këtyre deputetëve. Kjo për shkak se paga e tyre ndahet në dy kategori, baza dhe bonuset në bazë të pjesëmarrjes në komisione dhe seanca plenare”, thuhet në raport.
Tipar dallues është fakti se deputetët nga qarqet e largëta kanë edhe përfitimet më të mëdha financiare, dhe se në listën e deputetëve më të paguar bëjnë pjesë disa prej atyre që nuk kanë pasur pothuajse asnjë produkt parlamentar. Pagesa mujore e deputetëve është rreth 2 deri 2.5 mijë euro pa llogaritur përfitimet shtesë që variojnë deri në 2 mijë euro të tjera.
“Ajo që dallon sesionin e fundit parlamentar krahasuar me pararendësin, është se në minutazh deputetët kanë folur më shumë, pasi Kuvendi në mesin e muajt mars iu rikthye në normalitet pas marrëveshjes me opozitën që i dha fund aksionit parlamentar të demokratëve”.
Meloni nuk tërhiqet nga kampet e emigrantëve: Do të jenë funksionale, po punojmë për zgjidhje