zoom

Ekonomi

Liria ekonomike në Shqipëri: Vështirë të bësh biznes. Përqindje e madhe e borxhit ndaj PBB-së

Shqipëria është rritur me 1.4 pikë në indeksin e lirisë ekonomike botërore për vitin 2022, ndonëse cilësuar si një klimë ku është vështirë të bëhet biznes.

Më tej, raporti përcakton se Shqipëria ka nivel të lartë të borxhit publik ndaj PBB-së, ka probleme me pronat dhe emërimin e pronarëve për shkak të informaliteti dhe nuk ofron shumë fasilitete për investimet e huaja.

Nga të gjitha elementët që studion indeksi, Shqipëria e merr pikëzimin më të lartë në barrën e taksave (89.1 pikë), lirinë e tregtisë (82.6) dhe lirinë monetare (82).

Vlerësimi më i ulët është për integritetin e qeverisë (35.6 pikë) dhe efektivitetin e gjyqësorit (49.8).

Sipas raportit, gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë u rrit nga 2017 në 2018, u ngadalësua në 2019, u kthye në negative në 2020 dhe u rimëkëmb në 2021. Shqipëria ka regjistruar një rritje të përgjithshme prej 2.2 pikësh të lirisë ekonomike që nga viti 2017, e udhëhequr nga rritja e rezultateve në të drejtat e pronësisë dhe efektiviteti gjyqësor. Madhësia e qeverisë dhe treguesit e tregjeve të hapura janë pozitive, por sundimi i ligjit mbetet problematik, sipas raportit.

 

Zbatimi i ligjeve

Raporti vlerëson se mbrojtja e pronës është e dobët, për shkak të paqartësisë së titujve, pjesërisht sepse manipulimi i gjykatave bën të mundur marrjen e titujve të paligjshëm dhe ndonjëherë të mbivendosur. Sistemi i regjistrimit është i pamjaftueshëm. Gjyqësori i pavarur i nënshtrohet presionit politik, frikësimit dhe burimeve të kufizuara. Rritja ekonomike pengohet nga korrupsioni endemik, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rëndë, shtrembërimi i konkurrencës dhe mungesa e transparencës.

Madhësia e qeverisë

Shkalla më e lartë e tatimit mbi të ardhurat individuale është 23 për qind, dhe shkalla më e lartë e tatimit mbi korporatat është 15 për qind. Barra e përgjithshme tatimore është e barabartë me 18.3 për qind të të ardhurave totale të brendshme. Shpenzimet qeveritare kanë arritur në 30.5 për qind të prodhimit total (PBB) gjatë tre viteve të fundit, dhe deficitet buxhetore kanë arritur mesatarisht 3.3 për qind të PBB-së. Borxhi publik është i barabartë me 76.0 për qind të PBB-së.

Eficienca e institucioneve rregullatorë

Të bësh biznes në Shqipëri mund të jetë e vështirë. Praktikat joformale të biznesit dhe proceset e parregullta të prokurimit qeveritar kontribuojnë në pasigurinë e biznesit. Ligjet e punës nuk zbatohen në mënyrë të barabartë. Pesha e punësimit informal ka qenë më e larta në rajon. Sektori i energjisë aktualisht është tërësisht i varur nga një sistem jo i qëndrueshëm i subvencioneve shtetërore.

Tregjet e hapura

Shqipëria ka në fuqi pesë marrëveshje tregtare preferenciale. Norma tarifore mesatare e ponderuar e tregtisë është 3.7 për qind dhe janë në fuqi 196 masa jotarifore. Pavarësisht disa përparimeve në modernizimin e regjimit të investimeve, ka kufizime për pronësinë e huaj. Sistemi financiar mbetet relativisht i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mirë provigjonuar.

Me 66.6 pikë në total, (nga 100 më e larta) vendi jonë pozicionohet e 50-ta në listën me 177 vende në rangun e mesëm të vendeve “Mesatarisht të Lira” në ekonomi. Ajo lë pas, Francën, Italinë dhe të gjitha vendet e rajonit.