zoom

Lajme

Liga e Kombeve/ Silvinjo lë jashtë Kombëtares Uzunin dhe Muçin

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje në shtator ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Përgatitjet për dy ndeshjet e para në Grupin B1 do të nisin të hënë më 2 shtator, teksa trajneri Silvinjo ka publikuar listën me 24 lojtarë të grumbulluar.

Në portë janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni. Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.

Në mesfushë dhe sulm Silvinjo ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiun dhe sulmuesin Agim Zeka. Të dy futbollistët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Spahiu aktivizohet në Iran, ndërsa Zeka në kampionatin “Abissnet Superiore” me Partizanin. Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi.

Në listën e Silvinjos bien në sy mungesa të rëndësishme, si ajo e Ernest Muçit, Myrto Uzunit, Keidi Bares dhe Etrit Berishës. Nëse mungesa e portierit është deri diku e justifikuar, pasi ende nuk ka gjetur skuadrën e së ardhmes, për Muçin që luan te Beshiktashi dhe Uzunin te Granada, trajneri duket aktualisht nuk i ka pjesë të projektit. Duket luks i madh që edhe Keidi Bare i transferuar te Zaragoza, Indrit Tuci që po shkëlqen te Sparta e Pragës, apo Anis Mehmeti që luan te Bristol Siti, të mos jenë pjesë e skuadrës në një kompeticion si Liga e Kombeve që renditet i treti për nga rëndësia.

Mungesa të rëndësishme janë edhe Mirlind Daku, i pezulluar nga UEFA gjatë europianit si dhe Arlind Ajeti i dëmtuar.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 2 shtator. Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të premten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 të Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45. Tre ditë më pas më 10 shtator, Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.