zoom

In Zoom

Lidhja e komplikuar e Ramës me median. Dy të mbyllura, disa të kërcënuara e të tjera të blera

Andi Bejtja rrëfen gjithnjë një histori kur përpiqet të tregojë me pak fjalë se kush është Edi Rama.

“Ishte bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës AKS, një botim i Koha Jonë. Një ditë erdhi në redaksi dhe unë si kryeredaktor duhet të largohesha më shpejt nga puna. Më tha: ik se kujdesem unë unë faqosjen. Të nesërmen pashë që në faqen e parë kishte botuar një intervistë të vetën, që e kishte improvizuar po vetë, e cila nuk ishte fare në plan të botimit. As e kishte folur me njeri”.

Gjatë gjithë jetës së tij ai ka dashur të jetë në qendër të vëmendjes së medias. Etja për vëmendje e bëri që të publikonte dikur edhe foton e përgjakshme nga sulmi që pësoi nga persona që s’u identifikuan kurrë.


Si ministër i Kulturës e më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës dyshohet se favorizoi disa prej tyre dhe sulmoi jo pak të tjera që ishin kundër.

Ardhja në pushtet vetëm e ekstremizioi sjelljen e tij. Mediat nën kontroll i shtuan pasuritë dhe ato kritike panë ditët e tyre më të errëta.

Tetori i vitit 2015 shënoi mbylljen e një kanali televiziv që po ngrihej me vrull. Agon Channel nisi si një projekt i madh që bëri bashkë emra të njohur të televizionit shqiptar dhe atij italian. Me një vijë editoriale kritike ndaj qeverisë, jetëgjatësia e tij qe e shkurtër.

Tatimet, policia e drejtësia vërshuan mbi të duke e kyçur. Pronari, Francesco Beghetti u shpall në kërkim. Anglia refuzoi ta ekstradonte dhe në pak kohë, Beghetti fitoi gjyqin përballë shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit. Tani Shqipëria duhet t’i paguajë atij 120 milionë euro dëshmshpërblim.

Në të majtën tuaj: Francesco Beghetti

Muajin e kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi përfundimisht sekuestrimin e Ora News, një televizion kritik me qeverinë dhe në veçanti me Bashkinë e Tiranës. Sipas drejtësisë, ky televizion nuk i ka të ardhurat nga burime të verifikueshme. Nëse është kështu, hetimet duhet të vazhdonin për të zbuluar se nga vijnë të ardhurat, pasi veç sekuestrimit këtu ka edhe vepra të ndryshme penale. Por mbyllja e ekranit duket qëllimi final dhe fundi i betejës ligjore.

Çfarë nuk mbyllet, blihet.

Pak muaj më parë, një prej klientëve kryesorë të qeverisë, “Kastrati Group” njoftoi blerjen e 60% të aksioneve të Euronews. Por refuzimi i pronarit fillestar, që aksioneri i ri të diktonte vijën editoriale në favor të qeverisë duket se qe shkaku që blerësi të tërhiqej e kontrata të prishej në pak javë.


Një tjetër media jashtë korit të propagandës qeveritare ka ndryshuar së fundi pronar. ABC News është blerë nga një prej biznesmenëve më të mëdhenj të Kosovës, Shkëlqim Devolli, i cili përflitet për afrimitet me qeverinë Rama.

Në të djathtën tuaj: Shkëlqim Devolli

Në korridoret politike dhe mediatike thuhet se pronari i deritanishëm, Klodian Allajbeu, nuk ishte më në listë e të preferuarve të kryeministrit.

Çfarë nuk blihet, sulmohet me çdo mjet.

Në fund të kësaj vere, fadromat e IKMT-së u shfaqën krejt befas në një resort turistik. Prestige Resort, në pronësi të Irfan Hysenbelliut, pronarit të televizionit News 24, Panorama dhe Balkanweb nisi të prishej. Fillimisht u prishën pishinat e tij. Dje fadromat nisën ta rrafshojnë përfundimisht ndërtesën shumëkatëshe. Pak para sulmit mbi këtë resort, ku Rama e ministra të qeverisë ishin shfaqur disa herë duke drekuar, mediat e Irfan Hysenbelliut kishin nisur të publikonin disa skandale në dogana e tatime. Tani resortit po i vihen kallëpët e tritolit.


Në janar të vitit 2019, në gojën e kryeministrit përfundoi Zëri i Amerikës, pasi publikoi disa përgjime të drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko.

Në qershor 2019, ai kërcënoi me betejë ligjore gazetën gjermane Bild që publikoi përgjimet e zyrtarëve të Partisë Socialiste, të akuzuar se ishin përfshirë në blerje masive votash në Dibër e Durrës. Pak muaj më vonë u tërhoq nga padia dhe foli për marrëdhënie miqësore, duke ngritur dyshime se si ndryshuan raportet mes tyre.

Muajin e kaluar, Top Channel u bë objekt i një sulmi të paprecedentë të kryeministrit. Media që e kishte mbështetur pa kushte për vite me radhë nisi të fliste për disa çështje kritike: shpërdorim fondesh me Rilindjen Urbane, abuzime në Bujqësi, ikjen e shqiptarëve si pasojë e keqqeverisjes, skandale me koncesione e PPD e të tjera çështje për të cilat përgjegjësia bie mbi qeverinë.

Tani Top Channel është një media armike. Por jo në fazën që të shohë fadromat para ndërtesës në Mëzes.

Të shqetësuara duken tani jo vetëm mediat kritike, por edhe ato pro qeverisë, jo se Rama mund t’u zërë faqen e parë si në kohën e gazetës AKS, por mund t’u gjejë kleçka ligjore për të justifikuar ruspat në dyert e tyre, nëse ndryshojnë sadopak kurs nga propaganda. /Zoom.al