zoom

Aktualitet

Lëvizte i armatosur rrugëve të Tiranës, arrestohet 40-vjeçari

Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe lëvizte nëpër kryeqytet me armën në brez. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” u arrestua shtetasi Arben Koçi.

Njoftimi zyrtar i Policisë: 
“Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose drogë. Si rezultat i kontrolleve, është kapur në flagrancë një 40-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pistoletë, në automjet.

Në momentin e ndalimit në rrugë, 40-vjeçari i papajisur me leje drejtimi, iu ka paraqitur punonjësve të Policisë, lejen e drejtimit të një shtetasi tjetër. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë dhe automjeti që 40-vjeçari e drejtonte pa leje drejtimi. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërive, kryesisht për kapjen e shtetasve në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri.

Gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Vangjel Noti”, është ndaluar automjeti me drejtues shtetasin A. K. Pas ndalimit të automjetit, ky shtetas iu ka paraqitur punonjësve të Policisë, një leje drejtimi me gjeneralitete të një shtetasi tjetër. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi A. K. nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjetit, u gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve proceduarale u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 40 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve,armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Operacioni “Sundimi i ligjit” vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/