zoom

Aktualitet

“Lekë apo favore në këmbim të votës?”/ Bardhi nxjerr zbuluar drejtorët e Belinda Ballukut

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku shkruan se drejtorët që ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku ka emëruar për qarkun e Fierit, po ushtrojnë presion mbi qytetarët për vota në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Bardhi përmend Ceno Klosin dhe Klevis Jahaj sipas tij, përfaqësues të Ballukut në Fier që pyesin qytetarët nëse duan lekë apo favore të tjera në këmbim të votës.

Bardhi thotë se njëri nga personat e sipërmendur është nën hetim nga SPAK ndërsa tjetri ka kryer korrupsion masiv me tendera.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

DREJTORËT E BELINDËS DITËN NË FUSHATË DUKE USHTRUAR PRESION MBI QYTETARËT E FIERIT, NDËRKOHË QË NATËN KTHEHEN TË FIRMOSIN TENDERA PËR VETEN APO NJËRI-TJETRIN!

Në Fier Belinda Balluku ka anashkaluar socialsitët e ndershëm, i ka përbuzur, i ka nënvlerësuar, për ti zëvendësuar më Ceno Klosin apo Klevis Jahajn, që janë fytyra e saj në qarkun Fier! Njëri nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërsa tjetri kandidat për në SPAK me abuzimin masiv me tendera klientelist.

Modeli i korrupsionit qeveritar që përfaqëson si askush tjetër Belinda Balluku, Ceno Klosi, apo Klevis Jahaj, nuk mund të jetë kurrë modeli përfaqësues i qytetarëve të qarkut Fier.

Tentativës së tyre për të blerë dinjitetin e qytetarëve fierak, përmes pyetjes që bëjnë në çdo takim “çfarë doni në këmbim të votës, lekë apo favore?”, unë pres që ti jap përgjigje sa më parë Njësia e Posaçme e krijuar pranë SPAK për krimet zgjedhore. Por që sot di me siguri të plotë, që votën nuk e kërkojnë për ti shërbyer qytetarëve, por për të vazhduar të na vjedhin çdo ditë, siç tregon edhe investigimi i mëposhtëm.

Prandaj sot çdo qytetarë i ndershëm i këtij vendi bën pyetjen: KUR DO NDËSHKOHET KORRUPSIONI I BELINDA BALLUKUT, ZËVENDËSVE APO DREJTORËVE TË SAJ?

Mjafton ky investigim më poshtë për të nisur një hetim të plotë e të gjithanshëm për skemën “5D” të “berberëve” të Belindës. Vetëm në një tender shpërblejnë njëri tjetrin me 8.4 milion euro. Sa të tilla ka?

Më poshtë, ju ftoj të lexoni pjesë nga investigimi i Kapitali.al:

Zyrtari që firmosi tenderin 8.4 milionë euro për Kovaçin është KLEVIS JAHAJ, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve. Zoti Jahaj dhe zoti Kovaçi nuk janë të panjohur për njëri-tjetrin.

Në këtë foto Jahaj dhe Kovaçi shfaqen në një mbledhje të drejtuar nga Emirjana Sako, ku u shtruan bazat për reformën në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me plan rritjen e investimeve në shkallë rajonale. Dhe investimet me sa duket janë me cikël të mbyllur. Ata që marrin vendimet për investime, pasi mbarojnë mbledhjet i firmosin tendera njëri tjetrit.

Megjithatë fijet e këtyre personazheve me pushtetin ngjasojnë me ato të merimangës. Zoti Kovaçi është duke ndërtuar një hotel luksoz në Durrës. I quajtur Azure Elegance Hotel, leja për të është marrë në maj të vitit 2023 nga kompania Adriatic Union. Kjo e fundit në atë kohë zotërohej nga dy aksionerë, Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, vëllai i zëvendësministrit të Infrastrukturës, Ceno Klosi.

Më vonë, pas marrjes së lejes me firmën e Edi Ramës, Genti Klosi i shiti aksionet për një çmim simbolik dhe pronar i kompanisë u bë 100 për qind Petrit Kovaçi. Nuk dihet nëse shitja ka qenë reale, pasi një sërë hetimesh të SPAK kanë treguar se në shumë raste pronarët në letra dhe ata faktikë të kompanive nuk përputhen.