zoom

Aktualitet

Ndërtim pa leje të një pallati 7-katësh, arrestohet kryeinspektorja e IMT-së Sarandë

Ka rënë në pranga shefja e INUV-së në Sarandë. Mësohet se është arrestuar drejtoresha Romina Pula, pasi ka lejuar ndërtimin pa leje të një pallati 7-katësh.

Në kërkim, është shpallur një biznesmen, i implikuar në këtë zhvillim.

Përveç procedimit të Pulajt dhe biznesmenit, Prokuroria e Sarandës ka urdhëruar sekuestrimin e pallatit 7-katësh.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet me sukses operacioni policor “HESHTJA”.

Vendoset sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme, pallat 7-katësh.
Operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Arrestohet kryeinspektorja e IMT Sarandë, për shpërdorim detyre.

Shpallet në kërkim pronari i objektit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore 3-mujore, kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndertimeve në qytetin e Sarandës dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “HESHTJA”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestuan në flagrancë shtetasja:

– R. P., 31 vjeçe, me detyrë kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7-katesh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës.