zoom

Politikë

LAJM I FUNDIT/ Basha merret në pyetje nga prokurorët belgë për “Toyota Yaris”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur pasditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, ku pritet që ai të merret në pyetje nga prokurorë belgë, në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”.

Një grup prokurorësh belgë ka ardhur në Tiranë, ku janë takuar me prokurorë të Tiranës dhe të SPAK-ut, pikërisht për të luftuar pastrimin e parave dhe grupet kriminale shqiptare që operojnë në Belgjikë.

Sipas prokurorëve belgë, bandat shqiptare pastrojnë paratë në Shqipëri, ndërsa mësohet se një grup kriminal i trafikut të drogës është në qendër të hetimeve, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë.

Si u zbuluan 3.4 milionë euro brenda makinës “Toyto Yaris”?

Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një traget që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompanie shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Kjo çështje u përdor si një “kalë beteje” nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. I rrezikuar për t’u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit.

Ai bëri një denoncim në një fjalë në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh. Lulzim Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës.

Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat “Toyota Yaris” i përkiste kreut te grupit socialist.  Në gjykim është dërguar vetëm Ervis Vladi për akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” dhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Ndërkohë, pushoi çështjen për të dyshuarit Alfred Vladi, Edi Lika, Klevi Cani dhe Alban Mollaymeri.