zoom

Aktualitet

La tre vajza jetime, flet bashkëshortja e Fiqiri Karajt: Jemi pa shtëpi e pa të ardhura

Një ditë pasi bashkëshorti i saj Fiqiri Karaj humbi jetën në një nga galeritë e minierës së Bulqizës, bashkëshortja e të ndjerit, Fatbardha tregon se jetojnë në kushte të vështira ekonomike e janë pa banesë. Fatbardha shprehet se Fiqiriu më parë punonte në minierat e Krastës, por e kishte lënë punën atje pasi nuk ishte paguar dhe nuk merrte pagat. Vetëm para 1 viti kishte nisur punën në minierën ku humbi jetën të Mërkurën. Fatbardha Karaj duhet të jetë tashmë nënë dhe baba për tre vajzat e saj.

Ndërkohë të afërmit tregojnë se Fiqiriu nuk kishte marrë pagën prej dy muajsh nga kompania për të cilën punonte. Sipas Margjela Meras, e afërme e familjes Karaj, vetëm ditën e djeshme pasi Fiqiriu ka humbur jetën i ka ardhur një sms në celular për të tërhequr pagën.

Familja Karaj në Bulqizë ka hapur dyert e mortit dhe përcolli për në banesën e fundit 49 vjeçarin Fiqiri Karajn.