zoom

Aktualitet

La Repubblica: Bllof i madh, 2 ditë udhëtim për 16 emigrantë! Kosto, mbi 250 mijë €

“Emigrantët në Shqipëri, bllofi i madh: vetëm 16 në anijen e parë”, e ka titulluar artikullin La Repubblica.

Media italiane shkruan se Libra do të mbërrijë në Shqipëri pas dy ditësh udhëtim, duke kontrolluar në det të hapur se kë të lërë në bord.

La Repubblica raporton se anija e Marinës e ka nisur lundrimin për të dërguar emigrantët në Shqipëri me 16 persona në bord.

“Dy ditë udhëtim për të transferuar jashtë Italisë dhjetë egjiptianë dhe gjashtë bangladeshas, të cilët, me gomone ishin larguar nga brigjet libiane të Sabrata dhe Zuara dhe e gjetën veten në “Libra”, anije me kapacitet për të transportuar deri në 80 marinarë dhe rreth 200 pasagjerë”, shkruan prestigjiozja italiane.

Kosto e këtij udhëtimi, thekson La Repubblica, shkon mbi 250 mijë euro.

Edhe media të tjera italiane kanë vënë theksin vazhdimisht mbi kostot e këtij operacioni, duke treguar me fakte se nëse kampi i pritjes do të ishte ndërtuar në Itali, shpenzimet do të kishin qenë disa herë më të ulta. /Zoom.al