zoom

Ide & Blog

Ky është një shtet që mbron kriminelët

Në fillim i ndaluan. E panë dhe videon dhe nuk i arrestuan Rrajat, por i lanë të lirë.

Panë edhe Majat që ishin të çarë, të enjtur e të gjakosur dhe prapë Rrajat s’i prangosën.

Kur videoja doli në media, u detyruan t’i ndalojnë disa prej tyre e disave u lanë kohë të largohen.

Por ndërkohë që bënin sikur po e vinin drejtësinë në vend, po merreshin me rregullimin e dokumenteve, sërish duke u vënë në anën e dhunuesve, për t’i lehtësuar sa më shumë.

U bënë bashkë Policia e Fushë Krujës, Prokuroria e Tiranës dhe Mjekësia Ligjore. Të gjithë për të klasifikuar si plagosje të lehtë një dhunë nga më barbaret që e pa gjithë Shqipëria, një rrahje me shkopinj bejsbolli, lënie pa ndjenja të dy burrave dhe kërcënim me armë në dorë.

Vetëm shteti nuk e pa atë që ndodhi, ashtu siç ndodhi. Për shtetin gjithë ajo dhunë ishte si një goditje me shuplakë.

Të çarat në kokë të Majave shtetit iu dukën si gërvishtje. Sepse shteti punon për mafian. Dhe për të mbështetur krimin e mafian, kapet pas shkresash.

A ka denoncim më të madh sesa videoja e dhunës? A duhen më shumë fakte sesa filmimi makabër për të dokumentuar një prej krimeve më të shëmtuara të ndodhura ndonjëherë?

Për shkak se ngjarja qe e rëndë, shteti bëri sikur shkriu të gjithë komisariatin e Fushë Krujës, sikur pezulloi drejtuesit e tij nga detyra, kur në fakt vendimet për largimin e disa prej policëve ishin marrë ditë më parë.

Asokohe, në një prononcim për Zoom.al, shefi i komisariatit të Policisë së Krujës, komisar Elton Shahini sqaroi që lirimi i tij nga detyra kishte ndodhur javë më parë, ndryshe nga çfarë u servir për publikun, si masë e marrë pas ngjarjes së dhunshme.

Edhe në këtë rast, shteti gënjeu qytetarët që kërkonin drejtësi. Siç po gënjen Majat për të shpëtuar Rrajat./ Zoom.al