zoom

Aktualitet

Ky është 56-vjeçari që vrau gruan në Fier

Ky është 56-vjeçari Petrit Mamaj, i cili ditën e djeshme vrau me thikë në banesë bashkëshorten e tij Valdete Mamaj, nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës në lagjen Sheq i Madh në Fier. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, ndërsa në trupin e gruas është konstatuar një plagë në shpinë dhe disa shenja në pjesë të tjera të trupit. Uniformat blu kanë marrë njoftim nga vëllai i Petritit, me profesion polic.

Pas grumbullimit të provave është thërritur për të dhënë dëshminë e tij para hetuesve edhe bashkëshorti i viktimës. Pas disa orë marrjesh në pyetje, ai ka pranuar se e ka vrarë të shoqen, duke shtuar më tej se dyshonte se e shoqja e tradhtonte, ndaj për këtë arsye ka kryer aktin e rëndë.

Pas krimit, bashkëshorti i viktimës kishte shkuar në lokalin e lagjes, që ta shihnin të tjerët.

Kur është kthyer në banesë, ai është shprehur se e ka gjetur gruan të vrarë, duke njoftuar vëllanë e tij, i cili ka njoftuar edhe policinë. Kur autori i krimit u pyet nga policia për rrethanat është bërë nervoz, duke ngjallur dyshime te policia, që nga ana e saj, ka zbuluar të vërtetën.

Sipas fqinjëve, çifti nuk ka pasur probleme, ndërsa një ditë para vrasjes ishte larguar nga banesa drejt Gjermanisë djali i tyre. Mësohet se viktima punonte shitëse në një dyqan në qytetin e Fierit, ndërsa bashkëshorti i saj ishte punonjës në shërbimet komunale.

Një i afërm i viktimës nga Levani, thotë se 56-vjeçari kishte probleme të shëndetit mendor. Sipas tij, herë-herë ai shfaqte agresivitet.

 

Postime të lidhura