zoom

Kosova

Kuvendi i përbashkët, Osmani: Kosova përballet me pengesa, na duhet mbështetja e Shqipërisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se Kosovës i duhet Shqipëria në krah, për të arritur integrimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, Osmani u shpreh se Bashkimi Evropian do të jetë më i plotë dhe i sigurt me anëtarësimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ajo shtoi se duhet kthyer vëmendja te shqiptarët në Luginë, si dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Ne po jetojmë në një kohë të trazuar që kërkon bashkëpunim. Kjo nuk është thjesht një zgjidhje. Një Shqipëri më e fortë do të thotë edhe një Kosovë më e fortë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi për të ndërtuar harmoninë e domosdoshme. Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e shteteve brenda familjen e madhe europiane.

Shqipëria po bën hapa vendimtar drejt rrugës së BE-së. Kosova mbetet e palëkundur drejt rrugës së saj për integrim në BE dhe angazhimi ynë është i çdoditshëm. Padrejtësitë ndaj Popullit të Kosovës sa vijnë e rritet, na duhet mbështetje e palëkundur e Shqipërisë në këtë drejtim.

Të unifikojmë politikën e jashtme, të bashkëpunojmë në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo jetojnë. Shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, i kanë sytë nga ne. Për Kosovën, Shqipëria ka qenë më shumë se një shtet motër.

Për Kosovën, Shqipëria ka qenë më shumë se një shtet motër, ka qenë një aleat i palëkundur. Edhe sot, Shqipëria mbetet shtyllë e fortë e mbështetjes sonë.

Shpreh vlerësimin për të gjithë deputetët, përkushtimi juaj për demokracinë, është dëshmi e unitetit. Zëri i deputetëve të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare është i vlerësuar nga populli i Kosovës. Le t’i afrojmë dy shtetet tona çdo ditë e më shumë. Së bashku sy dy shtete, të bashkuara nga gjaku, vizioni, të ecim përpara, krah për krah, siç kemi bërë gjithmonë”, theksoi ajo.