zoom

Aktualitet

Kush të dërgoi në DASH? Adriatik Lapaj zbulon bisedat me ambasadoren Yuri Kim

Avokati Adriatik Lapaj ishte në Departamentin Amerikan të Shtetit pak muaj më parë.

Ai ka treguar se shkoi në DASH si pjesë e një programi me përzgjedhje nga Amerika dhe jo me aplikim.

I ftuar në emisionin “LOG”, Lapaj tregoi se ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Kush të çoi në Amerikë, si vajte në DASH?

Adriatik Lapaj: Më çoi në Amerikë një program, programi i vizitorëve nga vendet e huaja, i cili është i vetmi program që nuk shkohet me aplikim, por me përzgjedhje nga SHBA. Ambasada vjen të thotë, përshëndetje zoti Adriatik, si kaluat? Mirë. Si shkojnë angazhimet? Shumë mirë. Ne kemi menduar që ju jeni një person që mund të përfshihet në këtë program me këtë përmbajtje. Të vënë përpara një letër ku të tregojnë përmbajtjen. Mua më ka ndodhur kjo procedurë dhe unë me gëzimin më të madh i kam thënë PO.

Pyetje: Si kanë qenë marrëdhëniet me ambasadoren Kim?

Adriatik Lapaj: Marrëdhëniet me ambasadoren Kim kanë qenë të shkëlqyera.

Pyetje: A keni biseduar për nevojën për një opozitë të re?

Adriatik Lapaj: Me zonjën Kim nuk kam biseduar për këtë, por  kam biseduar për nevojën për ndryshim, për hapjen e garës, votën e emigrantëve, referendumin etj.

I kam shprehur shqetësimin tim për ligjin e koncesioneve tona në këtë vend. Kam menduar që për koncesionet ligji duhet të ndryshojë. Për koncesionet deri në 5 vjet ti nënshkruajë qeveria, për koncesione 5-10 vjet parlamenti me shumicë të thjeshte, për koncesione mbi 10- 15 vjet duhet ti miratojë parlamenti me shumicë të cilësuar dhe për koncesione mbi 15 vjet parlamenti ti miratojë me shumicë të cilësuar. Këto kam folur.