Aplikacion
32-vjeçarja Luljeta Preza u bë viktima e dhjetë këtë të mërkurë, në këto shtatë muaj të vitit.
Ajo u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit në Durrës dhe sipas policisë, kishte humbur jetën prej një sulmi me mjet prerës. E reja po ashtu ishte abuzuar seksualisht para se të vritej.
Viktima e parë grua e vitit 2023
Më 27 janar, 80-vjeçari Xhevit Sinani vrau me sëpatë bashkëshorten Zeqine Sinani dhe vëllanë e tij Shaqir Sinani 72-vjeç. Krimi i dyfishtë brenda familjes ndodhi në Gramsh.
Masakra e Dan Hutrës
Pesë ditë më pas, Dan Hutra plagosi me thikë në Tiranë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi dhe më pas në Kodër Kamzë plagosi me armmë ish-bashkëjetuesen Elena Hysa dhe nëna e saj. Ndërsa të vrara mbetën e motra Mevlute Hysa dhe kunata Hasime Dafku.
Ngjarja makabre nuk do të mbetej me aq, teksa autori Dan Hutra, po në Kamzë vrau me të njëjtën armë Etleva Kurtin, për shkak të konflikteve që kishte pasur në burg me vëllanë e saj.
Kur vritesh gabimisht
Mbrëmja e 12 marsit ishte tragjike për Mimoza Pajën. Ajo u vra gabimisht në lokalin e Fatjon Muratit, që ishte objekt atentati. 58-vjeçarja punonte si banakiere në lokalin në “Don Bosko” ku ndodhi atentati.
Vrasja e Migena Sinanit
Në orët e para të mëngjesit të datës 8 prill, Roland Sinani, me probleme shëndetësore, vrau me armë nusen e vëllait të tij, Migena Sinanin, 37 vjeçe. Ajo u vra në gjumë, teksa flinte me djalin 2-vjeçar.
Edhe Alma Qevani u vra nga kunati
Më datë 17 maj, në fshatin Kusarth u regjistrua një tjetër krim brenda familjes, ku një grua 44-vjeçare, Alma Qevani, u godit për vdekje nga kunati Tefik Tashi, 58 vjeç.
Viktima e nëntë
Viktima e nëntë numërohet Zeniat Muhollari. 68-vjeçares iu mor jeta me plastmas nga djali i saj, Albi Muhollari, 24 vjeç, i cili e mbyti me plastmas. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 3 qershor në Përmet.
Dy ditë para se të mbyllej korriku, në datën 29, në Maliq, 46-vjeçarja Luiza Mullalli u vra nga bashkëshorti i saj Gjergji Mullalli, me të cilin ishte në proces divorci. Trupi i saj i pajetë më pas u gjet i hedhur në një pusetë.
A janë burrat e burgosur apo të vetëvrarë gjatë operacionit të kapjes së tyre, të vetmit vrasës? Duke shkelur urdhrat e mbrojtjeve, duke mos iu trembur denoncimeve për dhunë e duke mos u frenuar nga instancat përkatëse, vështirë të thuhet se ata janë fajtorët absolutë të krimit./ Zoom.al