zoom

In Zoom

Kush janë biznesmenët që flenë në Vilën 30? Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk jep informacion

Prej kohësh vilat dhe rezidencat qeveritare në mbarë vendin janë kthyer në oaze luksoze jo vetëm për kryeministrin dhe zyrtarët e tjerë të lartë të qeverisë, por edhe për miqtë e tyre.

Një prej tyre është edhe Vila Nr.30 në Tiranë apo siç njihet ndryshe edhe Vila e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Pak kohë më parë Zoom.al, bazuar në informacione të sigurta, i kushtoi një shkrim të zgjeruar kësaj vile, e cila është shndëruar në një hotel privat të kryeministrit, që ua jep  miqve të tij biznesmenë e sportistëve të ndryshëm të pasur, ndonëse aktiviteti apo qendrimet e tyre nuk kanë të bëjnë aspak me çështje protokollare apo detyrime qeveritare.

Bazuar mbi këto të dhëna, Zoom.al iu drejtuar me një kërkesë zyrtare për informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, ku i kërkonte t’i viheshin në dispozicion: “Lista e personave që kanë fjetur aty. Me çfarë statusi janë ftuar të kalojnë aty natën si në hotel? A kanë paguar? Cilat kategori lejon protokolli? Çfarë procedurash janë ndjekur?

Gati dy muaj më pas, në tejkalim të çdo afati ligjor, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i ka kthyer më së fundi një përgjigje shkresës së Zoom.al, por pa dhënë informacionin e kërkuar.

Nën justifikimin se informacioni për personat që akomodohen në rezidencat qeveritare është konfidencial, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare refuzon të kthejë një përgjigje ezauruese për informacionin e kërkuar, duke shtuar  më shumë dyshimet mbi individët që rehatohen aty me kërkesë dhe për llogari të kryeministrit Rama.

Vila qeveritare Nr. 30, ose siç njihet ndryshe vila ku jetonte ish-kryeministri Mehmet Shehu dhe më pas edhe ish-Presidenti Ramiz Aliaj, është një nga rezidencat më të rëndësishme qeveritare edhe në kohët e sotme.

Qeveria e drejtuar nga Rama harxhoi miliona lekë nga paratë e shqiptarëve për ta shndërruar këtë godinë në një vilë dinjitoze për të pritur edhe zyrtarë e delegacione të huaja. Por, siç pohojnë burime konfidenciale të Zoom.al aty vazhdojnë të pushojnë vazhdimisht miq personalë të kryeministrit Rama, pa asnjë lidhje me aktivitete apo çështje qeveritare. /Zoom.al