zoom

Aktualitet

Kush janë 3 shefat e policisë të arrestuar nga SPAK-u dhe i katërti i shpallur në kërkim

Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë realizuar një operacion të gjerë, ku kanë goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Gjatë operacionit janë lëshuar disa masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK-ut.

Sipas burimeve, 4 nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë, ku janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.

Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.

Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.

Erdit Hazizaj është i katërti person për të cilin ka urdhër arrest. Ai ishte larguar nga policia në vitin 2022. Hazizaj akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.

Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë./ Zoom.al

Postime të lidhura