zoom

Politikë

Kush është kandidati për president pa të shkuar politike, që mbështet PS-ja

Nga të gjitha aludimet e bëra rreth kandidatëve për president të Shqipërisë, një gjë doli e vërtetë, kandidati i parë nuk është i përfshirë politikisht.

Pak minuta më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama njoftoi se PS do të mbështesë si kandidat për postin në presidencë, Shefin e Shtabit të Formave të Armatosura, Bajram Begaj.

Zgjedhja e tij në krye të shtetit, do ta bënte ate presidentin e tretë ushtarak, pas Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani.

Por kush është Bajram Begaj, që nga mjek u fut në rradhët e forcave të armatosura si Gjeneralmajor?

Ai ka shërbyer për 31 vjet në ushtri, ndërsa ka përfunduar studimet ushtarake si dhe një sërë specialitetesh të tjera.

Gjeneral Major Bajram Begaj ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen;  Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji,  Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Aktualisht Gjeneral Major Begaj mban postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj. Është i martuar dhe ka dy djem./Zoom.al