zoom

Aktualitet

Kush është gruaja nga Tirana me 120 mijë euro “cash” në shtëpi, që iu vodhën nga pastruesja?

Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havieri, 23 vjeç, e kishin inskenuar gati në perfeksion vjedhjen e shtëpisë ku gruaja 49 -vjeçare punonte si mirëmbajtëse prej disa kohësh.

Por dyshimet e pronares i bënë ata shenjestër të hetimit të policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Për 3 javë me radhë ata u ndoqën dhe u përgjuan, në biseda telefonike dhe ambientale.

Kur u siguruan provat, u ndërhy. Iu gjetën 58 mijë euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë të rinj, sende floriri dhe dy makina që kishin blerë me paratë e vjedhura.

Pjesa tjetër e 120 mijë eurove ishte shpenzuar prej tyre në forma të ndryshme.

Por ndërsa ngjarja është zbardhur, policia po heton edhe prejardhjen e parave.
Zoom.al mëson se ato i përkasin gruas që kishte në pronësi shtëpinë. Ajo jeton e vetme, por policia nuk e bën të ditur identitetin e saj. Policia është e rezervuar edhe në dhënien e detajeve të tjera, pasi hetimet po vijojnë.

Apartamenti i saj ndodhet në rrugën e Kosovarëve, një zonë e shtrenjtë e Tiranës, ku një metër katror i një apartamenti shitet nga 2 500 deri në 3500 euro.

Gruaja mësohet se ka deklaruar në polici se të ardhurat i ka nga puna në emigracion. /Zoom.al